Pamjet e frikshme/ 33-vjeçari ende nuk gjendet. Tym dhe gazra helmues nga magazina në qendrën tregtare

25/03/2021 12:57

Këto janë pamjet nga qendra tregtare “casa italia”, pas zjarrit që ra në një magazinë në katin -1, ditën e djeshme në orën 16.

Edhe pse zjarri është fikur, vazhdon të ketë tej mase tym dhe të çlirohen gazra helmuese nga materialet që ruheshin në magazinë.

Ndërkohë zjarrëfikëset, dhe ekipet e shpëtimit po mundohen të zgjidhin situatën ,ndërsa ende kërkohet trupi i Arjan Sula, roje, i cili nga dje nuk gjendet pasi hyri për të shpëtuar të tjerë.

Një nga punonjësit e ekipit të shpëtimit të inxhinierëve të minierave tha për Top Channel se gjendja është shumë e rëndë dhe tymi dhe gazrat e çliruara e bëjnë të pamundur gjetjen e trupit.

“Gjendja është e rëndë , në ato punime , gjendja e ajrimit është e dobët, 250 herë më e madhe se norma, punonjësit janë heronj, i shprehin ngushëllimet familjarëve për viktimën e dyshuar, nuk kemi ç’të bëjmë më tepër, do punojmë për këtë avari, se është shumë e rëndë, tymi është i madh e pamundur të kontrollojmë për viktimën, magazina është shumë e madhe.

Është shumë e vështirë, deri dje dhe sot jemi këtu, të bëjmë të pamundur, por sasia e gazit që del është 250 herë me madhe, rrisku është pas qafe, rrisku i vdekjes”, tha ai.

Top Channel