Osmani: Masakra e Krushës së Madhe dëshmi autentike e veprimit të regjimit gjenocidal të Serbisë

25/03/2021 11:49

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar masakrën e Krushës së Madhe që ndodhi 22 vite më parë nga forcat serbe të cilët masakruan 243 persona, ndërsa 893 banesa u dogjën.

Osmani thotë se masakra e Krushës së Madhe mbetet ende plagë e hapur për një pjesë të familjarëve të këtij fshati dhe është dëshmi autentike e veprimit të regjimit gjenocidial të Serbisë.

“Këto ditë bëhen 22-vjet nga masakra e Krushës së Madhe, e cila përveç se dëshmi autentike e veprimit të regjimit gjenocidal të Serbisë, mbetet ende plagë e hapur për një pjesë të familjarëve të këtij fshati. Janë shumë të pagjetur, fati i të cilëve ende mbetet peng, brengë dhe ankth jo vetëm për familjarët, por edhe për shtetin e Kosovës. Në një aksion dyditor, regjimi serb manifestoi egërsi të paparë, duke ndarë burra e djem nga gratë e nënat e tyre dhe duke ekzekutuar 243 persona”, ka shkruar Osmani.

Osmani shkruan edhe se dy dekada, masakra e Krushës së Madhe është zëri i ndërgjegjes që thërret për drejtësi.

“Dy dekada më pas, masakra e Krushës së Madhe është zëri i ndërgjegjes që thërret për drejtësi dhe zbardhje të fatit të të pagjeturve. Duke kujtuar këtë ditë, ne sot e kuptojmë peshën dhe çmimin që paguam për lirinë e vendit! Liria nuk ka kuptim pa adresimin e përgjegjësisë për ekzekutorët e kësaj masakre, siç nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në rajon! Ne nuk do ndalemi duke e thënë të vërtetën për Masakrën e Krushës, kudo dhe kurdo. Ne nuk do të ndalemi asnjëherë që t’i rrijmë afër familjeve dhe t’u themi se  dhimbja e tyre është edhe e jona dhe që si institucione shtetërore nuk do zbrapsemi në përpjekjen për të kërkuar drejtësi! I përjetshëm qoftë kujtimi për 243 të vrarët e Krushës së Madhe!”, ka shkruar Osmani.

 

Top Channel