Disa javë më parë, shumë vende evropiane shpresonin që qytetarët e tyre më të pasur do të fillonin të shpenzonin paratë që i kishin kursyer gjatë pandemisë dhe në këtë mënyrë do të nxitej një rimëkëmbje ekonomike e rajonit për shkak të rritjes së konsumit.
Por, rritja e rasteve me COVID-19 dhe zvarritjet në furnizimin me vaksina e kanë bërë të paqartë nëse, apo kur, mund të ndodhë një valë shumë e nevojshme e shpenzimeve nga kursimet private. Pandemia ka kërcënuar ose shkatërruar jetesën e miliona njerëzve.
Ata që kanë qenë më me fat dhe kanë punuar, në shumë raste kanë shtuar vlerën e kursimeve të tyre, pasi masat e kufizimeve të vendosura nga shtetet u kanë pamundësuar që t’i shpenzojnë paratë.
Në Gjermani, kursimet u rritën në një rekord 16.2% vitin e kaluar krahasuar me 10.9% në vitin 2019. Në Francë, kjo normë ishte 22.2% në tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Edhe në Itali dhe Spanjë niveli i kursimeve është rritur dukshëm.
Ekspertët dhe politikëbërësit kishin shpresuar që kjo rezervë e kursimeve të imponuara do të fillojë të qarkullojë në ekonominë e euro zonës, për të mundësuar një rimëkëmbje lokale ekonomike, e cila me gjasë pritet të mbetet shumë prapa asaj të Shteteve të Bashkuara. Këto shpresa janë zbehur pasi dy ekonomitë më të mëdha të euro zonës, Franca dhe Gjermania, vendosën sërish kufizime kundër përhapjes së koronavirusit.
Top Channel