Çelet fushata zgjedhore. Avantazhet dhe disavantazhet e Ramës dhe Bashës

25/03/2021 17:36

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike do të hapin zyrtarisht sot fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Dritan Hila ka komentuar në “Top Talk” avantazhet dhe disavantazhet e Edi Ramës dhe Lulzim Bashës duke përmendur pandeminë, ekonominë dhe mënyrën se si bëhet propagandë.

Dyrnjaja: Sot çelet fushata zgjedhore. Rama duket se e ka marrë të gjithë peshën me vete, po kërkon vaksina gjithandej, nuk ka dy rrugë, vetëm do ia dalim thotë. Minutë pas minute vijnë njoftime për sigurimin e vaksinës. Duket se po e kthen në avantazh, apo është propagandë?

Hila: Unë mendoj që menaxhimi i pandemisë ka qenë ndër më të mirët që mund të bëhet në kushtet e një vendi, i cili nuk ka kapacitete spitalore të perëndimit. Gjithsesi, mungesa e vaksinave ka bërë që në njëfarë mënyrë faji t’i bjerë qeverisë, por e shohim që edhe qeverisja gjermane dhe italiane janë problematika me furnizimin. Në kohën që Rama arrin të sigurojë 1 milionë e disa vaksina, patjetër që kemi një avantazh të Ramës dhe do përkthehet në terren sepse ky muaj ka për të qenë shumë i mirë për vaksinimin e popullatës.

Shikohet shqetësimi i opozitës sepse që tani kemi fjalë për mossigurimin e vaksinës. Ka një shqetësim nga ana e opozitës që është në favor të Ramës dhe pa dyshim gjithçka është politikë. Dhe vaksinimi është politikë dhe Rama do ta shfrytëzojë këtë.

Dyrnjaja: Opozita ka qenë gati në front të gjerë duke denoncuar gjithçka për gjithçka në të gjitha aspektet në raport me ekonominë. Një kartë e humbur elektorale për Ramën? Mund ta përmendë si sukses ekonominë duke përjashtuar tërmetin dhe gjitha gjërat e paparashikuara?

Hila: Gjithë akuzat e opozitës bëhen duke u nisur nga raportet e Bujar Leskajt, i cili ka qenë kryetar i kontrollit të lartë të shtetit dhe sot është në listën e PD. Se sa të besueshme mund të jenë këto akuza… Këta janë njerëzit që janë përballë Ramës me të mirat e të këqijat e tyre. Ekonomia ka probleme, fillon sepse e gjithë bota është në krizën e pandemisë.

Dyrnjaja: Mungon një ballafaqim Rama Basha, çfarë është kjo lloj politike?

Hila: Cfarë do thonë. Megjithatë duke ulur Ramën përballë Bashës në një kakofoni sepse në debatet shqiptare, gjithmonë fiton ai që bërtet më shumë por këto nuk kanë asnjë vlerë.

Dyrnjaja: Si e ke parë mënyrën si po qasen të mëdhenjtë në raport me propagandën? I vlen Ramës ky lloj makijazhi me Ndrenikën, Bozon, Çomon?

Hila: Ndrenika nuk është një njeri me ndjenja? Nuk beson diku? Nuk është një njeri i cili ka intelektin e nevojshëm të bëjë dallimin mes njërit dhe tjetrit? Çfarë do më tepër? Ndrenika ka një emër shumë të madh. Në krahun tjetër është njëri që shumëzon 7*7, e bën natën ditë. Edhe ai e bën reklamën.

Top Channel