Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, komentoi sot, kreun e PD-së, Lulzim Basha, duke e etiketuar si të vetmin kryetar partie që në fushatë zgjedhore u shet qytetarëve programin e tij politik të paketuar si një libër.
“Është shumë e qartë, kush punon e kush ka vetëm fjalë. Basha mundohet që edhe në fushatë të shesë librin e vet, para se të shesë një ide të mirë, për t’i bërë gjërat pak më shpejt dhe pak më cilësore. Jo vetëm që nuk e voton as gruaja, por nuk voton dot as veten, pasi i ka skaduar karta e identitetit. Në vend që të bënin thirrje të merrnin njerëzit kartat, 10 mijë lekë është një, bëjnë thirrje për të blerë programin 10 mijë lekë”, u shpreh Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se pavarësisht kritikëve dhe skeptikëve, socialistët nuk dorëzohen në misionin për t’i çuar gjërat përpara.
“Kur dikush punon, nuk mungon kori i atyre që të vënë stërkëmbëshin, i atyre që thonë ‘kjo nuk bëhet’, i cinikëve, skeptikëve, i dyshuesve e thashethemexhinjve, por unë besoj që kori i njerëzve të mirë, i njerëzve të punës, i njerëzve të drejtë, është akoma më i madh. Le të thonë çfarë të duan! Në finale, fjalët i merr era, por kjo shtëpi do ngelet, shkolla do ngelet, rruga do ngelet. Ne punojmë për njerëzit. Ne nuk kemi kohë të humbim. Nuk do e lëmë përgjysmë, por do ta çojmë deri në fund këtë mision”.
Top Channel