Trafikim i lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje, 3 të arrestuar në Elbasan

24/03/2021 10:24

3 shtetas, të dyshuar për trafikim të lëndëve narkotike janë arrestuar sot, në Elbasan.

Policia njofton se janë arrestuar shtetasit G. M., 34 vjeç, H. H., 44 vjeç dhe S. S., 54 vjeç. Dyshohet se ishin pjesë e një grupi të strukturuar, që shpërndanin drogëra të forta në Elbasan.

Sipas policisë, pas kontrollit në banesën e S.S. janë sekuestruar 2 armë zjarri, municion luftarak, lëndë narkotike kokainë dhe 4 aparate celular.

Njoftimi i policisë:

Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, pas informacioneve të grumbulluara gjatë hetimit 5-mujor, në bashkëpunim me Prokurorinë, bazuar në provat e siguruara, në bashkëpunim me FNSH dhe Forcën e Posaçme “Shqiponjat”, organizoi dhe finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Bulevardi”, në kuadër të të cilit u godit një grup që ushtronte veprimtari kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta, kryesisht kokainë, në qytetin e Elbasanit.

Gjatë operacionit u vunë në pranga shtetasit:

M., 34 vjeç, H. H., 44 vjeç dhe S. S., 54 vjeç, të tre banues në Elbasan.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit S. S. u gjetën dhe sekuestruan dy armë zjarri pistoletë, një sasi fishkësh dhe një sasi lënde narkotike kokainë e ndarë në doza.

Nga hetimet e kryera është dokumentuar me prova ligjore veprimtaria kriminale e këtyre shtetasve, të cilët merreshin me shpërndarjen e kokainës në qytetin e Elbasanit.

Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, kryer në bashkëpunim dhe në ngarkim të shtetasit S. S., edhe për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

 

Top Channel