Operatori i Sistemit të Shpërndarjes po ndjek me vëmendje situatën e furnizimit me energji elektrike në vend dhe problematikat në rrjetin e shpërndarjes të shkaktuara nga moti i keq që ka përfshirë vendin tonë prej datës 22 mars.
Me marrjen e informacionit për ndryshim të kushteve klimatike, OSSH në bazë të planit të masave organizative që ka të bëjë me shëndetin e sigurinë, ka njoftuar 72 orë përpara 11 rajonet e saj në vend për të organizuar punën në terren me qëllim eliminimin e defekteve në kohë sa më të shpejtë.
Nisur me problematikën në një prej rajoneve, Bulqizë, ky rajon ishte ndër më të prekurit nga defektet që në orët e para të mëngjesit të datës 22 mars si pasojë e reshjeve të borës dhe stuhisë së erës ku u raportuan defekte në linjën e tensionit të mesëm e të ulët kryesisht në zonat rurale dhe rurale të thella.
Nisur dhe nga vështirësia e punës në terren, brenda 48 orëve, megjithë vështirësitë e terrenit si pasojë e rrugëve të bllokuara nga bora, janë riparuar afro 87 % e defekteve në rajonin e Bulqizës, Burrelit, Rrëshenit e Peshkopisë.
Në ndihmë të ekipeve të brigadave të avarisë së OSSH #Burrel, u angazhuan dhe forcat e pushtetit vendor të këtij rajoni, të cilët ndihmuan me mjetet e tyre duke zhbllokuar rrugët.
Aktualisht, janë riparuar 350 kilometra linjë TL, TM dhe TU dhe gjatë ditës së sotme ka vijuar puna sërish për riparimin e defekteve kryesisht në degëzime që ndodhen në zonat e thella rurale.
Situata e furnizimit me energji elektrike është futur në dinamikën normale dhe OSSH thekson se nuk ka asnjë problematikë në organizimin e punës së brigadave të avarisë në terren por cdo vonesë në riparimin e defekteve lidhet me vështirësitë e terrenit në të cilët janë konstatuar defektet.
Puna në terren e brigadave të avarisë vijon me intensitet për rikthimin e energjisë tek të gjithë abonentët.
Top Channel