Ambasadorja amerikane Yuri Kim, kërkoi të martën që Partia Socialiste të pozicionohet qartë për rastin e deputetit Tom Doshi, dhe rikandidimin e tij në zgjedhjet e 25 Prillit, si kryetar i Partisë socialdemokrate.

Në një postim të saj në Twitter, ambasadorja Kim vlerëson qëndrimin e Partisë Demokratike ndërsa shkruan se kjo forcë politike dhe të tjera “nuk duan në parlamentin shqiptar, dikë ndaj të cilit Shtetet e Bashkuara i kanë ndaluar hyrjen në territorin e saj”, shkruan ambasadorja amerikane duke ju referuar vendimit të Prillit 2018, të Sekretarit të atëhershëm të Shtetit.

Në postimin e saj, ambasadorja Kim, i drejtohet “të tjerëve” duke ngritur disa pyetje “Nga se kanë frikë” A është “e dobishme” të heshtësh”, Përse duhet lënë që të tjerët të mendojnë që je “aleat” me të”? Kjo është ajo që sipas jush meritojnë votuesit? Shqipëria meriton diçka më të mirë”, përfundon postimin e saj në Twitter, shoqëruar me njoftimin e Departamentit të Shtetit, për rastin Doshi.

Zonja Kim nuk e përmend me emër Partinë socialiste, por referenca ndaj kësaj force politike është mëse e qartë. Për më tepër, me herët në mbrëmje, ambasadorja amerikane gjatë një interviste në televizionin ABC NEWS, kishte qenë e drejtpërdrejtë kur tha se “është një gjë shumë e mirë që Partia Demokratike ka qenë e qartë në dënimin e këtij personi duke kërkuar që ky person të largohet nga lista e kandidatëve për deputetë. Dëshiroj të shoh që edhe Partia Socialiste apo të tjerët të jenë po kaq të qartë. Eshte krijuar pak konfuzion por mendoj që është koha e duhur për të qartësuar cdo konfuzion dhe për të qenë absolutisht të qartë se ku qëndrojmë të gjithë”, u shpreh ajo.

Deri tani nuk ka patur ndonjë reagim zyrtar nga Partia Socialiste.

Dy javë më parë Partia Demokratike ju drejtua Komisionit Qëndor të Zgjedhjeve me kërkesën për të ndaluar kandidimin e Doshit, i cili sipas saj “është subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe ai nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje. Në kuptimin e ligjit të dekriminalizimit, neni 2, Tom Doshit ndalohet të kandidojë, pasi ai është i dëbuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Urdhri i Sekretarit Amerikan të Shtetit ia ndalon atij hyrjen në SHBA, duke përbërë shkak ligjor për ndalimin e kandidimit të Tom Doshit në zgjedhjet e 25 Prillit 2021”.

Por KQZ e regjistroi atë si kandidat në zgjedhje, duke e e referuar atë dhe 11 kandidatë të tjerë në Prokurori për verifikime. “Mendoj që KQZ-ja ka përgjegjësi të shqyrtojë të gjitha rekordet në mënyrë që të sigurohet që kandidatët të kualifikohen. Në këtë rast ai nuk është skualifikuar, e kjo nuk do të thotë që ai është i pafajshëm. Por thjesht do të thotë që sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka nevojë të reformohet. Dhe ky është nënkuptimi i saj. E dyta, çështja, së bashku me 11 kandidatë të tjerë i është dërguar prokurorisë dhe ne vërtetë presim që prokurorët të bëjnë punën e tyre”, u shpreh zonja Kim duke shtuar se “në fund, nuk ju përket Shteteve të Bashkuara që të vendosin se kush duhet të jetë në parlament. Nuk janë Shtetet e Bashkuara se kush do të jetë aty, por janë votuesit shqiptarë. Dhe votuesit shqiptarë duhet të marrin vendimin këtu dhe duhet ta bëjnë të qartë pozicionimin e tyre”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA