Komisionerja e BE për inovacionin, kulturën dhe edukimin Mariya Gabriel, iu bashkua online një bashkëbisedimi të kreut të PD Lulzim Basha me tematikë arsimin.
Pamjet e këtij takimi me nota elektorale u transmetuan direkt nga selia e PD. Por kjo shkaktoi reagimin e kreut te mazhorancës. Kryeministri Edi Rama e shikon pjesëmarrjen e komisioneres Gabriel në këtë takim të PD si përfshirje të sajën në fushatën elektorale të rivalit , duke mos i kursyer kritikat përmes dy postimeve në Twitter.
“Në dijeninë time Komisioni Europian nuk e ka zakon të fusë hundët në fushatat elektorale dhe unë pres ta mësoj zyrtarisht e publikisht nga Brukseli, nëse e kam unë gabim e ndoshta komisionerët kanë vërtetë të drejtë të bëhen palë kur popujt e Europës zgjedhin qeveritë e tyre”!
Edi Rama i drejtohet edhe me një kërkesë Brukselit kur thotë: Dikush në Bruksel duhet t’u thotë komisionerëve që harxhojnë kohën e punës së paguar nga taksat e popujve të Europës, për të bërë video-muhabete elektorale me Lulëzim Bashën, se kjo quhet ndërhyrje në fushatën e brendshme elektorale të një vendi kandidat për në BE”!
Krye-demokrati Basha reagoi duke e quajtur të habitshëm atë që e quan nervozizëm të Ramës.
“Unë, PD dhe shqiptarët e kemi përcaktuar rrugën tonë që në dhjetorin ‘90: ajo është rruga që të çon në Europë. Sot të gjithë e kuptojnë se pa u afruar me BE, Shqipëria nuk do të mund të bëjë përpara. Për 8 vjet, jo vetëm që Rama nuk bëri asgjë për ta afruar integrimin, por ai bëri hapa prapa”.
Unë jam i vendosur thotë Lulzim Basha, të bëj gjithçka për të ecur përpara me integrimin evropian.
Top Channel