Gjirokastër, rrugët kthehen në kanal/ Projekti për ujësjellësin paralizon lëvizjen në qytet

23/03/2021 15:39

Shtrimi i rrjetit të ri të ujësjellësit që po ndodh në lagjet e sipërme historike të Gjirokastrës është duke sjellë shqetësime mes komunitetit të banorëve që jetojnë në këto lagje.

Në të gjitha akset mungojnë tabelat të cilat do të duhej të njoftonin qytatarët mbi ndërhyrjen që po kryhet për shtrimin e rrjetit të ujësjellësit ndërsa mungojnë edhe tabelat sinjalizuese që do të njoftonin mbylljen e një aksi të bllokuar përkohësisht.

“ Kështu u bë gjithë Gjirokastra, në të gjitha lagjet. Nuk është vetëm gjendja e vështirë për qarkullim por paratë u hodhën para 6 vjetësh këtu, u bë me hidrante, me të gjitha. Ato para tani po i shkatërron prapë.”

“E kam parë çfarë po ndodh por nuk e di pse po ndodh. Është frustruese të përpiqesh të jetosh jetën tënde të përditshme kështu.”

“Na ka shqetësuar pak. Sa ta rregullojnë avash avash, çfarë do bëjmë.”

“ Nuk e di nuk jam vënë në dijeni por thonë që shtrojnë tubacionet e ujërave të bardha, ujit të pijshëm.”

Përtej zhvillimit dhe të mirave që këto investime pritet të sjellin për banorët, përfshi këtu ujin 24 orë, sfida më e madhe duket se mbetet për mjetet e transportit publik për të cilat kaosi i krijuar prej hapjes së kanalizimeve është i paimagjinueshëm. Agjensitë e transportit në këto kushte nuk janë më në gjendje të respektojnë kontratën me qytatarët dhe bileta që paguhet për të qarkulluar brenda qytetit nuk merr më të njëjtën vlerë pasi një pjesë e rrugës për të gjithë pasagjerët tashmë bëhet në këmbë sidomos për lagjet Manalat e Dunavat të Gjirokastrës.

Top Channel