Në gjurmë të porositësit të vrasjes/ Jemin Sheraj është i dyshuar si i  pesti i grupit që vrau Behar Sofinë

22/03/2021 19:40

Në pritje për të siguruar bashkëpunimin e Skënder Vathit, i cili po refuzon statusin e të penduarit të drejtësisë për  vrasjen e Behar Sofisë, prokuroria ka identifikuar një person të pestë, i cili shfaqet në perimetrin e sigurisë pak ditë para krimit.

Ai është Jemin Sheraj, thuhet në materialet hetimore që Top Channel disponon, i cili shfaqet në orën 8.27 minuta i ulur në një tavolinë me skënder vathin, që deri më tani rezulton të jetë porositësi i nënkontraktuar nga persona ende të paidentifikuar me prova.

Kamerat tregojnë se gati dhjetë minuta pas takimit, rreth orës  8.38 ky person duket se i jep diçka Vathit i prezantuar  “dajo” që sipas përshkrimit të hetuesve , në dukje është një letër. Ai më pas largohet nga lokali . Megjithëse e ka identifikuar me këtë emër, grupi i hetimit nuk jep të dhëna nëse këto janë identiteti i dytë i të dyshuarit të pestë apo ai gjendet aty si një mbulesë për Skënder Vathin që ndërkohë po priste viktimën që të dilte nga banesa dhe të njoftonte të tjerët.

Nga të dhënat e deritanishme, prokuroria posedon kamerat e sigurisë dhe dëshminë e Ernejt Shytit që pranon se fotografinë e viktimës ja dha shoku i fëmijërisë Xhuljano Visha. Ky i fundit ishte kontaktuar nga i afërmi i Vathit, Leonard Xhixha, një ish i dënuar për vrasje me porosi të mbetur në tentativë dhe qe se bashku me tre të tjerët mbahet në paraburgim për vrasjen me paramendim të kryer në bashkëpunim të Behar Sofisë.

Top Channel