“Tokë e xanun”/ Kamëz, shitja e makinave në rrugë bllokon vendet e parkimit, policia nuk ndërhyn!

21/03/2021 10:10

KAMËZ- Biznesi i shitjes së makinave në rrugë vijon të jetë një fenomen shqetësues për qytetarët. Pavarësisht se një urdhër i Ministrisë së Brendshme ndalon shitjen e makinave në rrugë, biznesmenët që merren me këtë aktivitet, vijojnë që të parkojnë në çdo zonë duke zaptuar parkimet.

Së fundmi një qytetar në Kamëz, ka denoncuar një rast të tillë, ku sipas tij në “Bulevardin Blu” në këtë qytet, “lulëzon” shitja e makinave në rrugë. Denoncuesi ka filmuar makinat me tabelën “shitet” ku siç shihet qartë janë mbi 20 të tilla, ndërsa nga ana e policisë së Kamzës nuk është marrë asnjë masë, qoftë edhe për gjobitjen e këtyre automjeteve.

“Këto makina ka disa muaj që janë në rrugë, duke bllokuar parkimin për qytetarët dhe bizneset që janë përgjatë bulevardit. Ata qëndrojnë të palëvizura ditën dhe natën. Kur ndodh që shitet njëra, zëvendësohet me një makinë tjetër që sërish me muaj të tërë nuk lëviz deri sa të shitet. Është kthyer në problem. Shumë qytetarë në mungesë të parkimit detyrohen të lënë makinat parkim të dyfishtë duke u bërë problem në qarkullimin e mjeteve, ose detyrohen që të lënë makinat në parkim me pagesë” shprehet denoncuesi.

Top Channel