Nëna e Mikel Fushës shpërthen në lot jashtë lokalit, i bën thirrje kamarieres: Dil trego! Zbulon çfarë ndodhi një javë më parë: Ka thyer…

21/03/2021 20:24

Mikel Fusha është 22-vjeçari i plagosur ditën e sotme nga të shtënat me armë zjarri në qytetin e Shkodrës.  

Edhe një javë më parë, nëna e të plagosurit ka raportuar se djali dhe autori janë konfliktuar në lokalin ku Mikeli ishte i punësuar. Sipas nënës së Mikelit autori, i ka thyer tavolinat e lokalit ku ai punonte. Po ashtu ajo shtoi se autori ditën e sotme ka shkuar në lokal me disa shokë.

Tepër e dëshpëruar për ngjarjen, nëna rrëfen se çfarë ka ndodhur një javë më parë: “E ka nxjerrë jashtë. Ka thyer të gjitha tavolinat, i ka thënë të atit hajde paguaj. Ka paguar 100 mijë lekë për tavolina e karrige. Sot ka ardhur me 5-6 shokë që t’i hynë djalit me zor brenda. Erdhi djali në shtëpi tha “babi hajde hekma qafet”. Unë njoftova policinë mos t’i lë të përplasen, erdhën. Nuk është djalë që ngacmon njeri, për kokën e tij kurrë nuk i ka rënë në qafë njeriu. I kemi thënë që të heqin qafe atë djalë se bën ngatërresa në çdo lokal”.

Ndërsa policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po merr dëshmitë e personave që ishin të pranishëm, nëna bërtet me të madhe duke qarë: “Dil tregoji çfarë ka ndodhur”, duke iu referuar kamerieres që punon në lokal.

Të shtënat u shënuan mbrëmjen e sotme në lagjen “Mark Lula”, ndërsa forcat blu bëjnë me dije se po punohet për të bërë të mundur kapjen e autorit.

Top Channel