Nga Elbasani, ku prezanton kandidatët për deputetë të PS-së në këtë qark, kryeministri Edi Rama ka ironizuar opozitën.

Rama u ndal tek lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ku tha se përdoret nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe Presidenti i Republikës Ilir Meta.

“I kanë humbur shanset për ta drejtuar këtë vend, ndërsa sot janë të gjithë bashkë, ndërkohë që në zgjedhje futen medemek veç e veç. Demokratëve ju thuhet votoni PD, por për çfarë? Për të marrë Monika Kryemadhin, apo të tjerët që nuk kanë çfarë t’i ofrojnë shqiptarëve. I kanë pasur të gjitha shanset që t’i tregojnë shqiptarëve se çfarë janë në gjendje të bëjnë.

Ne këtu nuk vijmë duke rrahur gjoksin për të thënë se çfarë kemi bërë, por për t’ju thënë se jemi në përpjekje për të bërë më të mirën, duke reflektuar në skuadrat tona atë që është kërkesa bazë e shoqërisë. Një pasqyrë ku gratë dhe vajzat janë një forcë e madhe, jo sepse e kërkon ligji.

Çfarë ofrojnë ata për Shqipërinë, një koalicion ku Iliri dhe Saliu vënë në thundrën e tyre drejtësinë, një koalicion ku Saliu, Ilir dhe Monika… “sepse Luli është një kukull për t’i dhënë buzëqeshje pamjes”, i bëjnë karshillëk dynjasë”, u shpreh kryeministri.

Më parë kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij ka sulmuar Bashën, duke e cilësuar si Borati. Kryesocialisti në fjalimin e tij i është rikthyer sherrit të ndodhur ndërmjet biznesmenit Gjergj Luca me kandidatin demokrat Luçiano Boçi.

Rama e ka cilësuar Lucën si një krijues dhe një punëmarrës të madh.

“Ne po bëjmë detyrën tonë për të respektuar rregullat duke respektuar njerëzit, duke respektuar të drejtën themelore të secilit për jetën dhe për shëndetin. Të tjerët po shfaqin një nga tiparet e tyre më të këqija, ky që po shfaqin është një tipar i politikës së rrugës “dembabadem” me gjoja grumbullime spontane tek vetura e Boratit, i cili del mbi veturë dhe përshëndet dasmorët klitharalk me dy gishta e flamuj pa marrë aspak parasysh që kështu rrezikohet shëndeti i tyre e i familjarëve të tyre. Lufta me armikun e padukshëm është sfida e sfidave. Zmbrapsja e virusit është sfida e sfidave. Nuk mund të vaksinojmë intensivisht nga njëra anë dhe të tallemi nga ana tjetër. Është abuzive këtë nuk mund ta bëjë një forcë politike që ofrohet si alternativë qeverisëse, ky skuthllëk është tipar i karakterit të tyre politik dembabadem. Në do të gjejmë mënyra për të angazhuar njerëzit me komunikimet tona por asnjëherë nuk do të biem pre e turmave”, tha Rama.

Top Channel