Kandidati për deputet i diasporës/ Çfarë kërkojnë shqiptarët e Londrës për Lavdrim Krashin që u rikthye pas 20 vitesh në Britani

21/03/2021 19:43

Edhe pse në radhët e komunitetit shqiptar në Britani dhe veçanërisht në Londër, Lavdrim Krashi njihet, ai ka qenë student i dhjetorit dhe një nga themeluesit e organizatës rinore të socialistëve, FRESH-it.

Prej mbi 20 vjetësh, ai jeton dhe punon në pushtetin lokal në Londër në një nga minibashkitë në veri të saj, ku mbulon çështjet e strehimit, duke ndihmuar edhe shumë shqiptarë që jetojnë në Britani.

Lajmi për kandidimin e tij në zgjedhjet e 25 prillit ishte befasues për komunitetin shqiptar në Britani dhe gjetkë, edhe pse shumë e dinë se ai është edhe kryetar i degës së PS në Britani.

I saporikthyer në Shqipëri këtë fundjavë, për tu marrë me fushatën, e cila starton me 25 mars, këtë javë shqiptarët e Britanisë dhe miqtë e tij, për shkak të pandemisë morën pjesë në një takim në platformën “Zoom” për t’i uruar Lavdrim Krashit sukses në zgjedhje në parlamentin e  ardhshëm.

Krashi i thotë korrespondentit të Top Channel në Londër se nuk e ka pasur të lehtë pranimin e propozimit për tu bërë deputet dhe falenderon sidomos familjen e tij për sakrificën e lënies së Londrës për Tiranën dhe Dibrën edhe pse ai i ndihet krenar që do përfaqësojë vendlindjen.

Por edhe pse ai do përfaqësojë dhe kandidohet nga një parti politike, ajo që e bën historike kandidimin e tij, mes dy zonjave të tjera, është fakti se kemi kandidat të ardhur nga radhët e diasporës.

Andaj edhe mesazhi i komunitetit shqiptar është që Lavdrim Krashi të jetë zë jo vetëm i dibranëve, por edhe i gjithë halleve dhe shqetësimeve të shqiptarëve në diasporë, të cilët faktikisht ndihen se janë lënë jetim nga politika shqiptare e të gjitha krahëve, madje duke ua mohuar të drejtën kushtetuese të votimit më 25 prill.

Top Channel