Hetimet për vrasjen e Çekiçit/ Pista për përplasje me grupet kriminale ose prishje e pazareve të drogës

21/03/2021 17:26

Dy janë pistat kryesore të hetimit për vrasjen e Edmond Koçit apo i njohur ndryshe si Mond Çekiçi, një ditë më parë në Durrës.

Pista e parë është ajo e vrasjes për prishje të marrëdhënieve me elementë të tjerë kriminal në Durrës, ndërsa pista e dytë është ajo e prishjes së pazareve të drogës. Kujtojmë se në muajin janar në këtë qytet u vra Edmir Bregu, i cili njihej edhe si shoku i Mond Çekiçit. Bregu dyshohej se ishte i përfshirë në shpërndarjen e drogës në qytetin e Durrësit.

Burime të Top Channel nga grupi hetimor, tregojnë se që prej ditës së djeshme janë marrë në pyetje më shumë se 20 persona, mes tyre edhe shoferi i Mond Çekiçit, i cili mundi t’i shpëtonte atentatit.

Autorët e veshur me uniformë ushtarake, disa minuta pas ngjarjes, dogjën në Sukth automjetin e përdorur nga ta për të kryer krimin. Brenda saj u gjet edhe arma kallashnikov, nga e cila dolën 42 plumba në drejtim të Çekiçit.

Tashmë, arma është dërguar në laborator për të bërë këqyrjen  balistike dhe për të parë nëse do të gjenden gjurmë të autorëve.

Po ashtu, grupi hetimor po bën edhe një rikontroll të automjetit të djegur për të mbledhur më shumë prova me qëllim zbardhjen e ngjarjes.

Edmond Çekiçi, njihej si një nga elementët kriminal në qytetin e Durrësit, për shkak të lidhjeve të tij me bandat. Në shtator të vitit të kaluar ai u arrestua për armëmbajtje pa leje, por gjykata vendosi që t’ia ndryshonte dënimin në arrest shtëpiak për shkak se në atë kohë ai ishte shtruar në spital me simptoma Covid.

Ndërkaq, prej një jave ai ishte lënë i lirë, me dënimin e vetëm, atë të shërbimit të provës, por nuk mundi t’a shijonte dot lirinë më tej.

Top Channel