“Bashkë Mundemi!”/Ministrja Kushi publikon videon e veçantë me mesazhet sensibilizuese të nxënësve me Sindromën Down

21/03/2021 16:09

Në Ditën Botërore të Sindromës Down, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi ka zgjedhur të publikojë gjithashtu një video me mesazhe sensibilizuese të disa nxënësve me këtë sindromë që janë pjesë e shkollës speciale “Luigj Gurakuqi” në Tiranë.

E gjithë video shoqërohet me pamjet e nxënësve me Sindromën Down, të cilët mbajnë nëpër duar pankarta ku shkruhen mesazhe të veçanta dhe që vijnë si apel për mbarë shoqërinë, për të mos i lënë pas ata në asnjë moment, por përkundrazi t’u gjenden gjithmonë pranë tyre e t’i ndihmojnë për të bërë një jetë normale në kuadër të gjithëpërfshirjes.

“Dashuria e vërtetë nuk numëron kromozomet; M’i duaj doçkat, se më dridhen, se kam frikë;  M’i duaj syçkat që përloten, se nuk kam dritë; Më duaj gojën që pëshpërit ngadalë, se natyra nuk më dha fjalë;  Më duaj edhe kur fort bërtas! Do kem siklet, ti s’më kupton, unë sa nuk plas; Më duaj mendjen edhe zemrën siç e kam, unë mund t’ia dal, po të kem ty pranë” – janë mesazhet që vijnë nga këta nxënës të veçantë, teksa lexohen nga një mësuese pranë shkollës speciale “Luigj Gurakuqi”, Tiranë.

Top Channel