Merrte para për të sjellë emigrantë të paligjshëm në Shqipëri, kapet “mat” me 11 të huaj 44-vjeçari

20/03/2021 11:44
Foto ilustruese

Një shtetas, i cili po transportonte drejt Tiranës 11 emigrantë të paligjshëm është arrestuar sot, në afërsi të Pogradecit.

Sipas policisë, 44-vjeçari u kishte premtuar të huajve kalimin drejt vendeve të Bashkimit Europian. G.D., banues në Durrës, kishte marrë 1000 euro, për transportimin e paligjshëm të emigrantëve.

Çështja i kalon Prokurorisë së Pogradecit, për hetime të mëtejshme, si dhe për të hetuar nëse 44-vjeçari ka pasur bashkëpunëtorë.

Njoftimi i policisë:

Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit “Perimetri”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Policinë Rrugore dhe Policinë Kufitare, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit G. D., 44 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë Rrugore në qytetin e Pogradecit, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Ford”, 11 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit prej 1000 euro në total, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Po punohet për vënien përpara përgjegjësisë ligjore edhe të personave të tjerë, të dyshuar si të implikuar në këtë ngjarje.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.

 

Top Channel