Vazhdimi i pandemisë dhe rritja e rasteve me koronavirus kanë rritur ndjeshëm importin e ilaçeve edhe në muajt e parë të këtij viti.
Sipas të dhënave zyrtare të Instat, gjatë muajve janar-shkurt vlera e produkteve farmaceutike të importuara arriti në3,6 miliardë lekë apo rreth 29.3 milionë euro.
Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur nuk kishte ende raste të konfirmuara me koronavirus në vend importi i ilaçeve është rritur me rreth 1 miliardë lekë.
Kërkesa më e lartë ka qenë për medikamentet për kurimin e Covid, teksa nuk mungon as ajo për suplemente e vitamina, edhe pse sipas farmacistëve ka parë një trend në rënie në raport me fillimin e pandemisë.
“Në rastet më të shumta i zënë recetat për trajtimin e Covid-19, shtesat ushqimore dhe medikamente të tjera për sëmundje kronike. Për suplementet e vitaminat, trendi është drejt uljes. Nuk është se qytetarët po blejnë si në fillim të pandemisë, pasi e njohin tashmë situatën, kanë lexuar janë më të informuar”, tha farmacistja.
Frika dhe të panjohurat e pandemisë bënë që vitin e kaluar të rriten vrullshëm produktet farmaceutike të importuara veçanërisht gjatë muajve mars-prill, kur koronavirusi sapo kishte nisur të përhapej në vend, duke krijuar edhe stoqe.
Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar Shqipëria importoi rreth 24 miliardë lekë apo rreth 195.2 milionë euro medikamente e preparate mjekësore.
Top Channel