PS, 48,7%, opozita 45,2%/ Sondazhi i dytë Ipsos-Top Channel për zgjedhjet e 25 prillit

19/03/2021 00:47

Në emisionin Open u publikuan këtë të enjte gjetjet e sondazhit të dytë të realizuar nga IPSOS dhe Top Channel. Nëpërmjet telefonit dhe më pak on line janë intervistuar 1519 votues nga data 3 mars deri në 9 mars.

Ndërsa marzhi i gabimit është vendosur në 2.39 përqind. Sërish zgjedhësit janë pyetur nëse Shqipëria po shkon në drejtimin e duhur dhe njësoj si një sondazhin e parë 38 përqind përgjigjen pozitivisht dhe 47 përqind negativisht, ndërsa 8 përqind asnjëanës. Ndërkohë ka një përkeqësim të shifrave në pyetjen se si po trajtohej çështja e pandemisë.

Në sondazhin e dytë zgjedhësit janë pyetur se si i shikojnë dy liderët Rama dhe Basha. Rama është në avantazh dhe shikohet si lider më i fortë nga 62 përqind, më i aftë nga 55 përqind më i besueshëm nga 44 përqind dhe 45 përqind mendojnë se ai zotëron mirë politikat ekonomike. Në pyetjen se cilin preferonin për të drejtuar vendin Rama është sërish në avantazh me 39 përqind ndërsa Basha i dyti por me një përmirësim të ndjeshëm.

Nga 29 përqind që ishte në sondazhin e parë në 33 përqind në sondazhin e dytë. Vlerësimi i qeverisë për trajtimin e çështjeve të mëdha, mendimi pozitiv qëndron sërish në 56 përqind por ka një rritje me një përqind mendimi negativ. Ndërkohë ka një përmirësim përsa i përket mendimit të njerëzve për mënyrën se si po i trajton opozita çështjet e mëdha. Ndryshim të dukshëm ka në rezultatet e pyetjes, se kush do fitojë zgjedhjet, PS në sondazhin e dytë humbi dy pikë duke zbritur nga 44 përqind në 42 dhe PD fiton tre pikë duke u ngjitur nga 24 në 27 përqind.

Ndryshim të dukshëm ka pyetja kryesore, se për kë do votohej në zgjedhje nga 49,5 përqind partia socialiste ka zbritur në 48,7 përqind dhe PD që ishte 39,3 është rritur me 1.3 në 40,6 përqind. Ndërsa LSI ka një rënie me 05 përqind nga 5,1 në 4,6 përqind. Në sondazhin e dytë është bërë dhe një ndarje sipas qarqeve, kështu në Tiranë PS merr 48,1 përqind që përkthehet në 19 mandate dhe PD 42,6 përqind në 16 mandate, ndërsa LSI me 3,4 përqind vetëm një mandat.

Në qarkun e Durrësit, PS merr 47,8 përqind që pëkthehet në 7 mandate dhe PD 44,8 përqind po 7 mandate, ndërsa LSI merr 5,5 përqind, por asnjë mandat. Dhe sondazhi i fundit, për Elbasanin ku PS merr 49 përqind ose 8 mandate dhe PD 41 përqind ose 6 mandate, ndërsa LSI asnjë mandat.

Top Channel