Banorët e Lagjes nr.1 në Has të shqetësuar dhe në panik për shëmbjen e pallatit të tyre në tokë ankohen në Fiks Fare. Sipas tyre shtesat e kryera në pallat janë problemi kryesor , por problem është edhe ndërtimi i një lokali në kat të parë që sipas tyre i përket kryetarit të bashkisë. Ata thonë se këto ndërtime jo vetëm që u pengojnë dritën, por tashmë kanë cënuar seriozisht dhe strukturën e pallatit i cili nga dita në ditë rrezikon shëmbjen.

Duke marrë shkas edhe nga ngjarja e fundit ku tërmeti i 26 nëntorit në vitin 2019 në vendin tonë shkatërroi me dhjetra pallate, banorët janë të traumatizuar dhe nuk kanë siguri për jetën e tyre.Mes të tjerash për emisionin Fiks Fare dy nga banorët thonë se në katë të parë është ndërtuar lokali i kryetarit të Bashkisë Has dhe disa nga familjet nuk ankohen nga frika se i heqin nga puna. Pavarësisht se qytetarët janë ankuar kurrë nuk kanë marrë zgjidhje.

Gazetarët e Fiksit shkojnë trokasin në 3 dyer të apartamenteve ku zonjat e shtëpive u thonë se banesat janë të dëmtuara nga ndërhyrjet që janë kryer në kundërshtim me ligjin.Emisionit Fiks Fare njëra nga zonjat i vendos në dispozicion video të banesës së saj nxirë me myk dhe lagështi nga krisjet nëpër mure e shtesave të ndërtuara pa leje.

Bashkëpunëtori i Fiksit shkon në lokalin e ndërtuar në katë të parë për të cilin banorët pretendojnë se është ndërtim i paligjshëm dhe i përket kryetarit të bashkisë.Punëtori i këtij biznesi i konfirmon bashkëpunëtorit të emisionit Fiks Fare se lokali është i kryetarit aktual të Bashkisë Has.


Por në një telefonatë që gazetarët e Fiksit patën me kryetarin e bashkisë ai mohon të jetë lokali i tij, por pranon që lokali është në emër të vëllait të tij. Ai konfirmon se lokali ka leje ndërtimi, ndërsa i pyetur për shtesat ai shprehet se nuk kanë leje, por kanë vite që janë ndërtuar dhe se nuk ka kompetenca për t’i prishur. ” Unë i jam drejtuar Institutit të Ndërtimit , pasi nuk kam vetë si bashki specialistë dhe nëse ata japin “ok” për t’u prishur patjetër që do prishen” shprehet kryetari Liman Morina.


Por deri atëherë këta banorë duhet t’i mbajnë në kurriz këto shtesa pa leje deri në momenti kur vetë struktura e pallatit të shëmbet nën këmbët e tyre.

Top Channel