“2 vjet burg për Llallën”/ SPAK kërkon të dënohet ish kryeprokurori me akuzat për korrupsion

19/03/2021 15:10

Referuar gjetjeve të organeve të vettingut por edhe ekspertizave kontabël, letërporosive nga Gjermania dhe SHBA, SPAK kërkoi shpalljen fajtor të ish prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla, nën akuzë për deklarim të rremë të pasurisë dhe i kërkon policisë arrestimin e tij.

SPAK këmbëngul nga gjykata dënimin e Llallës me 2 vite burgim, por që për shkak të kërkesës së tij për gjykim të shkurtuar, dënimi t’i zbresë në 1 vit e katër muaj heqje lirie ku përfshihet edhe ndalimi për pesë vite i punësimit në shtet.

Hetimi ndaj Llallës që dha dorëheqjen nga drejtësia fill mbasi i përfundoi mandati i kryeprokurorit, nisi nga një shkresë e organeve të vettingut që në shkurt 2018 dorëzuan aktet e kontrolleve të pasurive të tij gjatë rivlerësimit. Ndonëse vetting ndaj Adriatik Llallës u ndërpre, këto të dhëna u konsideruan si prova për të ngritur një akuzë, teksa dy të tjera u pushuan.

Prokuroria e Posaçme insiston se ish prokurori i përgjithshëm nuk deklaroi në tre episode vlerën e saktë të pasurive të paluajtshme, që janë kryesisht toka. Për këto pasuri, mes tyre dhe një apartament në Durrës, SPAK hoqi dorë nga sekuestro, që aktualisht ka përfunduar për tu zgjidhur në Gjykatën e Lartë.

Ndërkohë prokuroria e Posaçme pranon në rrugë jo zyrtare se ka nën hetim dhe ish zyrtarë të tjerë të drejtësisë të prekur nga vettingu.

Top Channel