Gjykata e Apelit Administrativ, i ka kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor që të gjejë ambiente për Kolegjin Zgjedhor që do shqyrtojë ankesat për zgjedhjet e vitit 2021.
Burimet e KLGJ thanë për gazetaren e Top Channel Anila Hoxha se është vendosur që seancat gjyqësore të Kolegjit të zhvillohen tek salla e madhe e Polit të Drejtësisë.
Ndërsa çdo gjë tjetër si kërkesa për dokumentacion apo sekretare gjyqësore vijon të jetë tek Gjykata e Apelit Administrativ. Sa i përket seancave të kontestimit të zgjedhjeve, ato do të mbahen në sallën “Amfiteatri” pranë Polit të Drejtësisë që të aksesohet nga palët dhe publiku.
Kërkesa e Apelit Administrativ ka ardhur për shkak të situatës së Covid-19 ku kërkohet që të mos grumbullohen më shumë se 10 persona në një ambient. Ndaj Gjykata e Apelit Administrativ i kërkoi KLGJ që të siguronte ambiente që të mos rrezikohet infektimi i kolegjit zgjedhor dhe palëve.
Top Channel