Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson sot tha se “së shpejti” do të marrë vaksinën e Oxford/AstraZeneca kundër COVID-19.
Duke iu përgjigjur pyetjeve nga ligjvënësit në Dhomën e Komunave, Johnson tha se është i kënaqur të mësonte se do të marrë vaksinën. Zbulimi i Johnson-it erdhi mes diskutimeve mbi vaksinën e Oxford/AstraZeneca pasi shumë vende evropiane kanë ndaluar përkohësisht përdorimin e saj për shkak të shqetësimeve se mund të shkaktojë mpiksje të gjakut.
Kryeministri po i përgjigjej pyetjes së deputetit konservator, Steve Brian se përse disa shtete të Bashkimit Evropian kanë braktisur provat shkencore në lidhje me ndalimin. Shumë vende në të gjithë kontinentin kanë pezulluar përdorimin e vaksinës teksa kërkojnë sqarime të mëtejshme mbi sigurinë e saj.
Danimarka është vendi i parë që pezulloi vaksinën dhe u pasua nga Norvegjia dhe Islanda. Franca, Gjermania, Spanja dhe Italia janë po ashtu midis vendeve që pezulluan përdorimin e vaksinë dhe thanë se do të presin rezultatin e një hetimi nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).
Belgjika, Polonia, Çekia dhe Ukraina, nga ana tjetër, theksuan se do të vazhdojnë përdorimin e vaksinës. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se nuk ka asnjë provë që mpiksjet janë të lidhura me vaksinën, duke u kërkuar të gjitha vendeve të mos ndalojnë programet e tyre të vaksinimit.
Top Channel