Itali/ U kap mat duke vjedhur, kalimtarët alarmojnë policinë. Shqiptari tenton të largohet duke i drejtuar efektivëve kaçavidën

18/03/2021 14:36

Një 37-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë italiane pasi u kap duke vjedhur një banesë në Itali.

Policia u alarmua nga të bërtiturat e disa kalimtarëve, të cilët panë të moshuarit që përpiqej të ndalonte personin që e kishte grabitur. Ngjarja ndodhi në Aurelia, në Loano, në kryqëzimin që të çon drejt portit turistik, shkruajnë mediat italiane.

Agjentët ndoqën shqiptarin, i cili u përpoq të shpëtonte nga duart e policëve duke i drejtuar një kaçavidë, por më pas u dorëzua.

Në xhepin e pantallonave të tij, agjentët gjetën disa bizhuteri prej ari dhe tre orë, të cilat ishin marrë nga shtëpia e të moshuarit. Ai kishte zënë mat shqiptarin duke vjedhur në shtëpinë e tij, por nuk arriti ta ndalonte.

Për më tepër, shqiptarit iu gjetën disa mjete të përshtatshme për vjedhje, bizhuteri të tjera ari dhe rreth 800 euro para. Të gjithë sendet e vjedhura iu kthyen pronarit dhe shqiptari u shoqërua në komisariat ndërsa pritet të dënohet për grabitje, rezistencë dhe kërcënime ndaj një zyrtari publik.

Top Channel