I mbijetuari i fundit i fisit të Amazonës, vdes nga mutacioni brazilian i Covid-19 (fotot)

18/03/2021 17:48

Mashkulli i fundit i mbijetuar i një fisi aborigjen në rajonet tropikale të Amazonës, ka vdekur nga koronavirusi, siç raportohet nga Brazili.

Aruká Juma, i fisit të njohur Juma, lë pas vetëm katër femra në fisin e tij, duke i dhënë fund kështu linjës së trashëgimisë. Udhëheqësi fisnor ishte rreth 90 vjeç dhe vdiq nga komplikacionet e Covid më 17 mars në spitalin e Pôrto Velho, në krahinë braziliane të Rondônia.

Për të arritur në spital ai lundroi dy orë me barkë, dhe më pas 100 km me makinë. Zoti Juma tregonte për fotografin Gabriel Uchida në 2016: “Ne ishim në numra të shumtë para se punonjësit e gomës dhe të drurit të vinin për të vrarë popullin Juma. Asokohe ne, popullata Juma ishim të lumtur, ndërsa tani kam mbetur vetëm unë”.

Në kohë më të mira, fisi Juma numëronte rreth 15,000 anëtarë, por disa masakra gjatë shekullit të 20-të bënë që në 2002 të mbeteshin vetëm pesë anëtarë, zoti Juma, tre bijat e tij dhe një mbesë e tyre.

“Në mesin e viteve 60-të, populli Juma ishte thuajse i zhdukur prej masakrave të punëtorëve të industrisë së gomës, të drurit dhe të peshkatarëve, të cilët vërshuan në territorin pranë lumit të Assuã, në rajonin Canutama”, shkruan prokuroria e rajonit Rondônia.

Aruká ishte një nga të mbijetuarit e vetem te etnisë së tij, dhe folës i rrjedhshëm i gjuhës origjinale, prandaj vdekja e tij bën të humbasin përgjithmonë shumë tradita e rituale të kësaj popullsie. Tashmë vajzat e tij janë martuar me anëtarë të fisit Uru-eu-wau-wau, një tjetër popullsi aborigjene e Amazonës.

Zhvillimi vjen teksa Brazili po dëshmon lindjen e një varianti mutant më shumë infektues të koronavirusit  dhe aktivistët tremben se fiset e izoluara të Amazon mund të zhduken krejtësisht nga varianti i ri, pasi preken më rëndë.

Kohët e fundit sëmundja ka vrarë 10 fëmijë në një prej fshatrave aborigjene. Punëtorët e minierave dhe të industrisë së drurit kanë sjellë virusin në fiset e pambrojtura të Amazonës, ndërsa kritikë të qeverisë thonë se pandemia po përdoret si shkak për të mos ndërhyrë në fushatën e shpyllëzimeve industriale në rajonin gjigand pyjor.

Mes gushtit 2019 e majit 2020, shpyllëzimi në Brazil ishte rritur me 72% në krahasim me një vit më parë, që llogaritet në rreth 700 metra katrorë shpyllëzim për çdo orë, sipas statistikave.

FOTO GALERI
1/12
Në kohë më të mira, fisi Juma numëronte rreth 15,000 anëtarë, por disa masakra gjatë shekullit të 20-të bënë që në 2002 të mbeteshin vetëm pesë anëtarë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA