EMA vendos sot/ A do t’i japë BE dritën jeshile AstraZeneca-s?

18/03/2021 12:13

Rregullatori europian i shëndetësisë, EMA pritet të japë sot vendimin mbi sigurinë e vaksinës AstraZeneca kundër koronavirusit.

Një sërë shtetesh në kontinentin e vjetër kanë zgjedhur ta bllokojnë për momentin përdorimin e vaksinës britaniko-suedeze pas raporteve se disa individë të vaksinuar, kanë pësuar mpiksje gjaku.Por, pavarësisht pezullimit, Agjencia Europiane e Barnave thotë se nuk ka prova që e lidhin vaksinën me incidentet me trombozat.“Derisa hetimet të  vazhdojnë, ne ndajmë bindjen se përfitimet e vaksinës AstraZeneca në parandalimin e koronavirusit, i tejkalojnë rreziqet e saj”, deklaroi shefja e EMA-s,  Emer Cooke.

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka bërë thirrje vendeve që të mos e ndalojnë vaksinimin me AstraZeneca. Kompania që e zhvilloi vaksinën  në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, thotë se më pak se 40 raste të mpiksjes së gjakut janë raportuar që nga java e kaluar. AstraZeneca insiston se siguria e ilaçit është studiuar gjerësisht gjatë provave klinike.

Ndërkohë, shefja e  e krahut ekzekutiv të BE-së e kritikoi ashpër  prodhuesin anglo-suedez të vaksinave, duke e akuzuar kompaninë farmaceutike për shtyrje të fushatës së vaksinimit kundër koronavirusit në Evropë. Ajo paralajmëroi se Bashkimi Evropian po peshon mundësinë e ndalimit të eksporteve, si masë për të siguruar furnizim me vaksina. “AstraZeneca fatkeqësisht ka nënprodhim dhe ka dështuar të përmbushë deyrimet e saj, dhe kjo, e them me dhimbje, ka ulur shpejtësinë e fushatës së vaksinimit”, deklaroi  Ursula von der Leyen. Ajo shtoi se kompania u zotua fillimisht të jepte 90 milionë doza vaksinash në tre muajt e parë të 2021, por më vonë tha se mund të siguronte vetëm 40 milionë, dhe së fundmi vetëm 30 milionë, duke shkaktuar pakënaqësi të mëdha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA