GREQI – Pas më shumë se 63500 testeve të kryera të mërkurën, Greqia ka shënuar rekord të ri të numrit të të prekurve duke regjistruar dje 3.465 raste, prej të cilave 1700 vetëm në Athinë.
Por edhe numri i të intubuarve është rritur duke shkuar në 630 pacientë, ndërkohë që në spitalet e gjithë vendit janë shtruar gjithësej 4648 vetë.
Përsëri 56 qytetare kanë humbur jetën nga covid-19 ditën e djeshme, ndërsa shqetësues është fakti së treguesi i pozitivitetit ka shkuar në 5.44, nga 4 që është limiti i rrezikshmërisë së përcaktuar nga specialistët.
Gjithashtu barra virale në ishullin e Kretës shënon një rritje prej gati 1000% në Hania dhe rreth 700% në Iraklio pas matjeve dhe analizave në ujërat e zeza të këtyre dy qyteteve .
Për shkak të gjendjes dramatike në spitalet shtetërore ministri i Shëndetësisë ju ka kërkuar mjekëve dhe klinikave private të japin mbështetjen e tyre në këtë periudhë që sipas tij shënon kulmin e pandemisë në vend.
Sa i përket vaksinimit, numri i personave të vaksinuar ka shkuar në mbi 1.345.000, prej te cilëve 430.000 edhe me dozën e dytë. Deri në fund të prillit parashikohet të vaksinohen 3 milion qytetare dhe parashikohet që në qershor të fillojë vaksinimi masiv i pjesës së mbetur te popullsisë.
Ndërsa kryeministri Mitsotakis në një intervistë për CNN ka deklaruar se shumë shpejt Greqia do të fillojë lehtësimin e masave kufizuese dhe ka theksuar se Greqia është e gatshme të kryeje marrëveshje për njohjen e certifikatës elektronike të vaksinimit edhe me vendete e treta.
Edhe ministri I Turizmit qe para disa ditësh ka shpallur datën 14 Maj si datë e fillimit të periudhës turistike në vend, ka deklaruar se Greqia do të njohë vaksinën ruse Sputnik si të barabarte me vaksinat e tjera, duke berë kështu një hapje drejt Rusisë dhe duke pranuar turistët e vaksinuar të këtij vendi të vijnë për pushime në Greqi.
Top Channel