Aguero nervozohet me shokët e skuadrës, largimi duket i pashmangshëm

18/03/2021 00:39

Vijon momenti fantastik për Manchester City-n, që ka fituar 24 nga 25 ndeshjet e fundit në të gjithë kompeticionet dhe në Ligën e Kampionëve nuk pëson gol prej 11 orësh e 35 minuta, koha e dytë më e gjatë e vendosur nga një klub.

“Citizens” duken shumë të lumtur dhe argëtohen shumë në çdo ndeshje, por ka edhe ‘fytyra të vrerosura” në grupin e drejtuar nga Pep Guardiola. Një prej tyre është sulmuesi argjentinas Sergio Aguero, i cili ka shprehur gjithë pakënaqësinë e tij në përfundim të ndeshjes me Borussia Monchengladbach.

“Nuk më pasojnë topin” është dëgjuar t’i thotë argjentinasi njërit prej pjesëtarëve të stafit teknik në përfundim të ndeshjes, duke iu referuar kryesisht një momenti kur De Bruyne zgjodhi të shërbejë për Mahrez, ndonëse Aguero ishte në një pozicion shumë më të mirë dhe i lirë para portës.

Sulmuesi argjentinas luajti vetëm 15 minuta në sfidën ndaj gjermanëve, por shenjat e nervozizmit e bëjnë edhe më të sigurt largimin e tij nga “citizens” në fund të sezonit, kohë kur edhe i përfundon kontrata.

Ndonëse në qershor do të festojë ditëlindjen e 33-të, argjentinasi ka adhurues të shumtë në Europë, pasi bëhet fjalë për një kampion që mund të transferohet me parametra zero dhe Barcelona e Juventus janë gati ta joshin për të marrë shërbimet e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA