Rama i jep këshilla mësuesve dhe thumbon Bashën: Dikush jep shembullin e gabuar duke grumbulluar njerëz e duke ngritur gishtat mbi makina

17/03/2021 12:59

Kryeministri Edi Rama ka parë nga afër procesin e vaksinimit të mësuesve në Fier, teksa ishte i shoqëruar nga ministrja Ogerta Manastirliu.

Rama ka këshilluar që të gjithë mësuesit të bëjnë kujdes nga virusi për disa javë derisa të krijohen antitrupat pasi rrezikojnë të infektohen pas vaksinës nëse nuk zbatojnë rregullat.

“Duhet bërë kujdes në këtë periudhë sa të krijoni antitrupat. Nuk e bën efektin që ditën e parë, duhet bërë kujdes se mund ta bëni vaksinën e ta merrni virusin nëse që ditën e parë e lëshoni kontrollin”, tha Rama.

Nuk mungoi ironia për Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën duke thënë se shëndeti është më i rëndësishëm se mbledhjet politike duke grumbulluar njerëz për interesa partiake.

“Ky është një proces që duhet të shkojë paralel me kujdesin, me mbrojtjen, është fatkeqësi e madhe që për shkaqe politike dhe për interesa partiake dikush i jep shembullin më të gabuar duke grumbulluar njerëz e duke ngritur gishtat mbi makina, por nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme që njerëzit vetë të kuptojnë që kjo është një luftë për shëndetin, për jetën.

Është një luftë realisht për jetë a vdekje për shumë njerëz që janë më të ekspozuar dhe më të dobët nga pikëpamja fizike dhe për këtë arsye duhet të bëjnë të gjithë kujdes e të distancohen nga situatat absurde që tregojnë injorancë dhe papërgjegjshmëri të madhe dhe këputja e zinxhirit të infektimit në sa më shumë pika është prioriteti numër një.

Fushata, zgjedhjet, vendet në parlament, karriget, postet janë të gjitha 5 me hiç përpara kësaj sfide dhe këtij objektivi. Ne do vazhdojmë intensivisht vaksinimin, kërkojmë vazhdimisht të bëhet kujdes, turpi i mbetet atyre që e kanë”, tha Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA