Në gjashtë muajt e fundit, rreth 10.3 milionë njerëz u zhvendosën për shkak të thatësirave dhe përmbytjeve të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, shumica e tyre në Azi, tha të mërkurën Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq (IFRC) dhe Gjysmëhënës së Kuqe.
Gjatë kësaj periudhe, rreth 2.3 milionë njerëz janë zhvendosur për shkak të konflikteve, dhe kjo tregon se ndryshimet e klimës po shkaktojnë numrin më të madh të zhvendosjeve.
Megjithëse shifrat tregojnë vetëm një periudhë gjashtëmujore, nga shtatori 2020 deri në shkurt 2021, ato nxjerrin në pah një trend të përshpejtuar global të zhvendosjes për shkak të ndryshimeve të klimës, tha Helen Brunt, koordinatore e Migracionit dhe Zhvendosjes në Azi-Paqësor në IFRC.
“Gjërat po përkeqësohen. Ndryshimi i klimës po vështirëson gjendjen e varfërisë, konflikteve dhe paqëndrueshmërisë politike”, tha Brunt.
Firma këshilluese McKinsey & Co ka thënë se Azia “dallohet si më e ekspozuar ndaj rreziqeve të klimës sesa pjesët e tjera të botës”.
Në nivel global, 17.2 milionë njerëz u zhvendosën më 2018 dhe 24.9 milionë më 2019.
Më shumë se 1 miliard njerëz pritet të përballen me migrim të detyruar deri në 2050 për shkak të konflikteve dhe faktorëve ekologjikë, thuhet në një raport nga Instituti për Ekonomi dhe Paqe.
Top Channel