Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i pastroi listat e kolicionit opozitar nga shumë kandidatë të cilët sipas tij ishin në kundërshtim me përcaktimet e kodit zgjedhor duke lënë një numër total prej 153 kandidatësh.
Para se Kryekomisioneri shtetëror t’i jepte fund debatit përfaqësuesi ligjor i partisë socialiste Eridian Salianji kërkoi që lista e opozitës të regjistrohen por pa numrin e tepërt të kandidatëve të cilët sipas tij krijojnë një garë të pabarabartë. Ndërkohë homologu i tij demorkat Ivi Kaso u mbrojt me argumentin se leximi i socialistëve ishte në kundërshtim me përcaktimin ligjore duke paralajmëruar ankimim të vendimit në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve.
Lista e koalicionit opozitar sipas administratës së komisionit qendror të zgjedhjeve janë të pastra dhe nuk kanë probleme me ligjin e dekriminalizimit. Por socialistët denoncuan me emra dy kandidatë të opozitës të cilët sipas saj kanë dënime penale. Zef Hila në Shkodër dhe Rezeart Tusha në Durrës të cilët mazhoranca kërkoi të përjashtohen nga lista. Demokratet mbrojtën kandidatët e tyre ndërkohë Kryekomisioneri vendosi që ata të mbeten në listë deri në një vendim final të organeve hetimore të cilat për rastin e Tushës kanë nisur verifikim të thelluar. KQZ miratoi edhe listën e partisë së Tom Doshit, Myslym Murrizit dhe Nismës Thurje.
Debati në KQZ
Eridjan Salianji, përfaqësuesi i PS: Lista e PD tej numrit të përcaktuar në Kodin Zgjedhor. Bie në kundërshtim, lista duhet të jetë në përputhje me numrin e mandateve. Lista është risjellë si në datën 9 mars, edhe kur u kthye u kërkua edhe mos tejkalimi i numrit të mandateve. Jemi përballë të njëjtit fakt sërish. Listat e hapura me këtë veprim, e bën thuajse të pamundur thyerjen e pragut. Të gjitha partitë e tjera kanë sjellë numër të rregullt kandidatët, nga PS dhe të tjerët.
Sherri i Lulit me aleatët dhe me kandidatët, nuk mund të përcillet në KQZ. Ata duhet t’i kishin ndarë listat, nuk mund të bëhet këtu. KQZ ti regjistrojë listat, që PD të jetë në zgjedhje, por duke zbatuar ligjin. Dy emrat e PD në listë, i 8 në Durrës ka një vendim dënimi të padeklaruar. KQZ duhet të bëjë verifikim të shpejtë për të. Po ashtu numri 5 në Shkodër, media ka publikuar fshehje të një hetimi që kandidati i PD nuk e ka deklaruar. Derisa të printohet fleta e votimit, për këta dy emra, KQZ të bëjë një hetim të shpejtë e të thelluar që të kemi mundësi t’i heqim nëse dalin në kushtet e ndalimit.
Iv Kaso, përfaqësues i PD: Ligji cakton vetëm numrin minimal të kandidatëve që duhet të paraqiten për cdo qark. Lista jonë është në përputhje me ligjin. Si e tille duhet te regjistrohet.
Dekriminalizimi, Kaso: Administrata e KQZ ka kryer verifikimet formale. Asnjë kandidat i yni nuk ka rezultuar të ketë pasur kundërshti me ligjin. Vullneti ynë duhet përgëzuar pasi ne kemi nënvizuar nevojën jetike të ligjit të dekriminalizimit, pasi nga kjo forcë politike u imponua ky ligj. Akuzat janë gazetareske. Nën hetim është edhe kryeministri, drejtues politikë të mazhorancës etj, që janë në SPAK pas kallëzimeve të bëra nga opozita. Lajmet për një nga kandidatët tanë, ftojmë KQZ të bëjë verifikimet e nevojshme. PD i është drejtuar me shkresë Prokurorisë së Përgjithshme për të verifikuar kandidatin tonë. Ky është standardi ynë.
Ilirjan Celibashi: Për dy kandidatët e PD, 8 në Durrës dhe 5 në Shkodër, KQZ ka bërë verifikim paraprak, e nëse do të jetë rasti për këta e të tjerë që ka indicie, do të bëjmë verifikim të thelluar në bashkëpunim me Prokurorinë. Kjo do të bëhet vetëm pasi ne të miratojmë listën e kandidatëve të këtij subjekti. Kodi Zgjedhor përcakton saktë numrin e kandidatëve që duhet të paraqesë subjekti në cdo qark. Edhe pse lista në këtë rast nuk është në përputhje me Kodin, ne nuk jemi përpara rastit të refuzimit të kësaj liste. Por mund të aplikojmë sanksione sipas ligjit për këtë subjekt. Nuk jemi në kushtet për të refuzuar listën.
KQZ vendos miratimin e listës, duke miratuar vetëm emrat e parë të renditur brenda kuotave të KQZ. Emrat e tepërt nuk regjistrohen. Nga 231 emra, pranohen vetëm 153
Top Channel