Policia ka konfiskuar një seri kartëmonedhash të falsifikuara në një cilësi shumë të lartë, në një zyrë printimi në universitetin e kryeqytetit bullgar, Sofje.
Në një operacion të përbashkët me shërbimin sekret amerikan, policia bullgare arrestoi dy persona, punonjës të universitetit, dhe konfiskoi një printer dhe pajisje të tjera për printimin e parave, bashkë me një sasi të madhe dollarësh amerikanë dhe eurosh të falsifikuara.
“Vlera e kartëmonedhave të konfiskuara është e madhe. Të dhënat flasin për një aktivitet serioz kriminal”, tha shefi i policisë së Sofjes, Georgi Hadzhiev.
Zyra e prokurorit tha se sasia e parave false të konfiskuara është 4 milionë dollarë dhe 3.6 milionë euro. Policia beson se dy të dyshuarit janë pjesë e një sipërmarrjeje më të madhe kriminale, të angazhuar në trafikun e dollarëve falsë në Ukrainë dhe të eurove në Evropën perëndimore.
Dy të arrestuarit janë një 48 vjeçar dhe një grua 54 vjeçare, që i kishin bërë kartëmonedhat pas pune dhe gjatë ditëve të pushimit. Ata paguheshin me 10 për qind të vlerës së kartëmonedha false që prodhonin e që në një shikim të parë ishin të një cilësie relativisht të mirë – thanë zyrtarët duke konfirmuar edhe se nuk kishin të dhëna të mëparshme kriminale.
Policia e Sofjes tha po ashtu se nuk kishte prova se drejtuesit e universitetit ishin në dijeni të asaj që ndodhte atje.
Top Channel