I sëmuri psikik vrau shqiptaren/ Tragjedia në Bruksel. Daja i viktimës: 19 vite më parë iu vranë dy prindërit

17/03/2021 15:27

Hetuesit dhe policia belge ende nuk kanë arritur të zbulojnë sesi arriti vrasësi i shqiptares pavarësisht kufijve të mbyllur të kapërcente kufirin me Beligjikën, nga Franca ku u arratis nga një spital psikiatrik, e të shkonte nga Marseja deri në Bruksel.

Në këtë foto shfaqet vrasësi i cili ka goditur dy ditë më parë me një bombol për shuarjen e zjarrit 33 vjeçaren nga Divjaka, Xhuljeta Lala.

E reja punonte në shërbim në një hotel të rrjetit të njohur “best western” në Bruksel, qytet ku kishte emigruar me motrat dhe vëllanë pas një tragjedie të rëndë familjare ku mbetën të vrarë dy prindërit e saj në Divjakë. Atje jeton ende daja i saj Trifon Caponi, i cili tregoi për Top Channel:

“Kolegia e saj, e cila ka qenë me fytyrë e ka parë dhe është larguar direkt. Kjo ka qenë me kurriz, ndaj e ka goditur direkt. Morëm vesh se e kanë marrë dhe e kanë çuar në spital, sot nuk e di çfarë kanë bërë tek morgue e të gjithë të tjerat”.

Ngjarja thellon tragjedinë e familjes kur fëmijët i shpëtuan plumbave që u vranë prindërit.

“Para 19 vjetësh, një djalë Divjake i ka vrarë në një natë të dy prindërit dhe një nga motrat u plagos. Kjo që po flasim tani, me gjithë vëllain kanë hyrë poshtë krevatit dhe kanë shpëtuar nga plumbat atje. Fatkeqësia e gjurmoi atje. Direkt u larguan për Greqi, pastaj për në Belgjikë për një jetë më të mirë, larg këtyre gjërave që nuk mund t’i shikojmë dot me sy”, shton Caponi.

Vrasësi ka dalë sot para gjykatës në Bruksel. Ai ka heshtur pas deklaratave të para në vendin e ngjarjes ku tha: “E vrava se ma kërkoi djalli”. Autoritetet belge thonë se deri në Belgjikë ai mund të ketë shkuar me autostop.

Top Channel