Komisioni Kombëtar i Vaksinimit të Greqisë pasi është mbledhur dy herë urgjent brenda 24 orëve të fundit ka rekomanduar vazhdimin e procesit të vaksinimit me vaksinat e kompanisë AstraZeneca.
Sipas specialistëve grekë nuk ka asnjë arsye që të anulohet përkohësisht marrja e vaksinës se kësaj kompanie, ndërsa 17 vende europiane e kanë pezulluar për disa ditë, pas dyshimeve për efekte anësore serioze përfshirë trombozat në gjak.
Gjithashtu specialistët grekë kanë deklaruar se hapet edhe platforma për programatizimin e vaksinimeve të personave të grupeve të rrezikshmërisë së lartë. “Komisioni thekson se Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) që kanë në dispozicion të dhënat nga të gjitha vendet, rekomandojnë vazhdimin e vaksinimeve me vaksinën AstraZeneca.
Duke konkluduar Komisioni qe ka marrë parasysh të gjitha të dhënat në dispozicion, gjykoi unanimisht se vaksinimet me vaksinën AstraZeneca duhet të vazhdojnë në vendin tonë ashtu si janë planifikuar”- tha Maria Theodoridou, kryetarja e Komisionit Grek të Vaksinimit. Ndërkohë Greqia në 24 orët e fundit ka regjistruar përsëri numër të lartë viktimash, 59, është rritur përsëri numri i të intubuarve në shifrën rekord prej 605 pacientësh, ndërsa rastet e reja të të prekurve janë mbi 1500. Gjithashtu vazhdojnë me ritme të larta shtrimet në spitalet greke me një mesatare prej 455 personash në ditë.
Por me gjithë të dhënat shqetësuese, të mërkurën komisioni i epidemiologëve do të rianalizojë masat dhe thuhet se do të propozojë hapjen graduale të bizneseve të vogla e të mesme, pasi vërehet, siç pohojnë specialistët, se qytetarët duket që janë të lodhur nga lockdoën-et e gjata dhe masat kufizuese, të cilat tashmë nuk i zbatojnë.
Top Channel