Në lidhje me projektligjin për Gardën e Republikës së Shqipërisë, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, deklaroi sot nga foltorja e Kuvendit se nuk do të sjellë ndryshime financiare, por do të krijojë mundësi për karrierë për punonjësit e këtij institucioni.
Ministri Çuçi u ndal te disa nga çështjet që dalin në pah në këtë ligj, mes tyre theksoi edhe trajtimin e personelit, ku tha se një risi e ligjit është detajimi i mirëtrajtimit që bëhet për punonjëset femra nën radhët e Gardës.
Ndërsa ftoi deputetët që të votojnë projektligjin, Çuçi deklaroi se ministri për rendin dhe sigurinë publike ka tashmë kompetenca për organizimin dhe veprimtarinë e saj.
Fjala e plotë e Ministrit Çuçi:
Projektligji “Për Gardën e Republikës” përmbush një nga premtimet e qeverisë për transformimin e kësaj strukture nga një formacion i ndërtuar mbi parime ushtarake, në një organizatë civile në shërbim të qytetarëve, me status të veçantë, si institucion i administratës shtetërore.
Ky ndryshim ka qenë njëherësh pjesë e paketës së prioriteteve të Ministrisë së Brendshme, që kanë të bëjnë me forcimin e rendit dhe të sigurisë publike, dhe me sigurinë kombëtare në tërësi.
Nga ana tjetër, ky projektligj ishte një domosdoshmëri pasi zëvendëson një nga ligjet më jetëgjatë në korpusin e ligjeve të vendit, njëherësh duke reflektuar reformat e ndryshimet e bëra, me qëllim përshtatjen e kësaj strukture me institucionet e tjera që janë në varësi të Ministrisë së Brendshme.
Projektligji që keni sot në tavolinë është një rezultat i një pune të ekspertëve më të mirë të fushës dhe parasheh në mënyrë të detajuar mjaft aspekte që kanë të bëjnë detyrat dhe veprimtarinë e këtij institucioni.
Kur morëm drejtimin e qeverisjes, 8 vjet më parë, e gjetëm këtë strukturë në një gjendje mjaft të rëndë, me një stigmë të pamerituar për shkak të drejtimit politik të kohës dhe u përpoqëm maksimalisht që të ndryshonim diçka, aq sa lejonte ligji dhe rrethanat. Por që të realizonim një reformë rrënjësore, së pari duhej bërë ndryshimi i kuadrit ligjor, i cili vjen sot në formën e këtij projektligji organik.
Tashmë, me këtë nismë, struktura e gardës, njësohet në disa aspekte kyçe me atë të Policisë së Shtetit dhe SHÇBA-së, qoftë për sa i përket statusit ligjor, ashtu edhe sistemit të gradave, trajtimit etj..
Por pavarësisht ndryshimeve të bëra, misioni i Gardës së Republikës mbetet i pandryshuar dhe ai është “garantimi i sigurisë së personaliteteve shtetërore dhe objekteve në ruajtje”, i cili nuk ndryshon në asnjë rrethanë.
Disa nga çështjet që dalin në pah në mënyrë veçantë në këtë ligj, janë:
➡️ Në rradhë të parë roli i ministrit përgjegjës, i cili ruan drejtimin strategjik të kësaj njësie, kompetencat dhe detyrimet e tij në raport me ligjin. Tashmë ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, ka kompetenca dhe përgjegjësi specifike, të përcaktuara me ligj dhe akte të tjera ligjore që kanë të bëjnë me funksionimin, organizimin dhe veprimtarinë e Gardës së Republikës.
➡️ Së dyti, trajtimi i Personelit. Është detajuar në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse, trajtimi i punonjësve të Gardës, i cili në krahasim me ligjin e vjetër, ka përmirësime të ndjeshme.
Një risi e ligjit është detajimi i mirëtrajtimit që bëhet për punonjëset femra nër radhët e Gardës, por njëherësh ka përmirësime për të gjithë strukturën, qoftë për pjesën e trajtimit financiar, për lejet, për pensionet etj.
➡️ Njësimi dhe ekuivalentimi i gradave me ato të Policisë së Shtetit, është një pjesë tjetër e rëndësishme që parashikon ky ligj. Tashmë çdo punonjës i Gardës, që gëzon një gradë, të përcaktuar nga tradita ushtarake e kësaj njësie, do të rimarrë një gradë të re, të natyrës civile, krejt të ngjashme me gradat e policisë dhe SHÇBA-së. Me këtë ndryshim, të tre institucionet kryesore në varësi të Ministrisë së Brendshme, që kanë detyra specifike për sigurinë dhe rendin publik, do të kenë të njëjtin sistem gradash, ç’ka nënkupton edhe të njëjtin sistem karriere dhe promovimi. Duke futur këtë sistem gradash, shmanget një ngërç i mundshëm që rrjedh nga kjo mospërputhje mes strukturash që kryejnë detyra që i përkasin sigurisë së vendit dhe varen nga i njëjti institucion, e në këtë rast, nga Ministri i Brendshëm.
➡️ Së fundmi, ruajtja e strukturave aktuale, një aspekt tjetër i ligjit të ri është që ky nuk do të sjellë efekte financiare, ndërkaq, asnjë ndryshim nuk do të ndodhë me efektivin aktual të Gardës, përveç emërtesës së funksioneve dhe ri-emërtimit të gradave. Punonjësit që janë aktualisht në këtë strukturë, do të vijojnë në të njëjtat detyra dhe nuk do të ketë ndryshime as të numrave, për shkak të këtij ligji.
Ligji i ri ka përcaktuar në mënyrë të detajuar procesin e ri-emërtimit të gradave dhe gjithashtu edhe procedurat e ecurisë në gradë apo fitimit të një grade më të lartë.
Të nderuar deputetë,
Ne kemi bindjen se me ligjin e ri, plotësohet kuadri ligjor për strukturat e sigurisë në varësi të Ministrit të Brendshëm, gjë që sjell natyrshëm një mundësi për karrierë dhe avantazhe për çdo punonjës që tashmë bën pjesë në një nga tre strukturat e lartpërmendura.
Reforma në Policinë e Shtetit, ajo e SHÇBA-së, për të cilin kemi një diskutim në komisionet projektligjin përkatës, besojmë se do të përmirësojmë rrënjësisht imazhin e këtyre strukturave dhe do të vendosë bazat për mirëfunksionimin e tyre në një shtrat thellësisht ligjor.
Duke e mbyllur, ju ftojmë që ta votoni dhe miratoni këtë projektligj për Gardën e Republikës, së bashkume disa sygjerime të vlefshme të bëra në Komisionin e Sigurisë për të cilat kemi rënë tashmë dakort.
Faleminderit!
Top Channel