Fiks Fare denoncoi veprimet e Prokurorisë dhe Policisë Rrugore në Tiranë, të cilat kanë pushuar hetimet e një aksidenti, ku një zonjë ka rrezikuar seriozisht edhe jetën. Ajo ka pësuar thyerje të këmbës, ka vendosur hekur dhe vida në kockë, ndërsa ka pasur dëmtime edhe në trup dhe kokë.

Por, këto dëmtime janë konsideruar të lehta për hetuesit, ndërsa nuk preferuan që të vijojnë hetimet. Madje, në vendngjarje nuk janë sekuestruar kamerat e sigurisë, që është kryqëzimi i Selvisë në Tiranë. Në atë kryqëzim ka kamera bashkia dhe dhjetëra subjekte private. E dëmtuara hedh dyshime se policia ka ndryshuar vendin e ngjarjes, ndërsa ekspertizën e bëjnë vetëm me autorin, pa një ekspert.

Aksidenti ka ndodhur në datën 27 nëntor 2020, te kryqëzimi i Selvisë në Tiranë. Një motoçikletë po lëvizte nga Medreseja për në qendër dhe ka hyrë në parakalim në sensin e kundërt të rrugës. Automjetet kanë qenë të ndaluara në kryqëzim, pasi semafori ka qenë me të kuqe më mjetet. “Nuk kalova te vijat e bardha po pak më lartë. Sapo kalova makinën vjen një motor me shpejtësi më goditi në këmbë dhe rashë përtokë. Personi që ngiste motorrin më tha unë të pashë dhe spo frenoja dot. Më tha mezi frenova. Kisha dy thyerje në këmbë, shembje, fraktura në kokë. Në Spitalin Ushtarak qendrova 2 javë. Bëra operacion 3 orë. Në këmbë kam vendosur hekur, 3 vida te gjuri dhe 2 te kavilja. Doktori më dha fletën e daljes me 2 muaj e gjysmë raport” thotë Albana Allajbeu.

Bashkëshorti i saj pohon se drejtuesi i motoçikletës quhet Fatjon Uka. “Thuhet goditje e lehtë, po kjo e ka rëndë. Polici s’pa kamerat. As bëri ekspertizë fare. Vendi i ngjarjes ka kamera. Hetuesit kanë ndryshuar vendin e ngjarjes. Të gjithë vendin e ngjarjes e kanë ndërtuar me atë që ngiste motorrin. E pyeste dhe ai i tregonte ku e si dhe ne s’na kanë pyetur. Nëse është fajtore nusja ime, ta di dhe unë. Mos të na bëjnë për budallenj” thotë ai. Më tej shton se aktualisht po vuajnë pasojat e aksidentit, pasi bashkëshortja po qendron në shtëpi, ndërsa ai bën edhe dadon. “Prokurori thotë ka dëmtim të vogël, kur ajo edhe tani mezi ecën. Edhe sikur të rrej unë, nuk rrejnë kamerat” përfundon ai.

Fiks Fare siguroi vendimin e prokurorisë së Tiranës, pasi çështja ka kaluar nga Komisariati i Policisë Rrugore. Vetëm në dy fletë prokuroria ka vendosur pushimin me arsyetimin se nuk ka një vepër penale. Në këto dy letrat e prokurorisë nuk është argumentuar dinamika e ngjarjes, ndërsa më shumë janë analizuar veprat penale sesa zbardhja e skemës së aksidentit. Sipas një vëzhgimi, në vendin e aksidentit ka me dhjetëra kamera të Bashkisë së Tiranës dhe të bizneseve aty pranë. Nëse do të ishin marrë kamerat e sigurisë, do ishte zbardhur e gjithë dinamika e aksidentit, pasi kamerat e disa biznesve kanë edhe fushëpamje edhe nga rruga.

Në dokumente, eksperti i policisë ka shkruar se se ngjarja ka ndodhur në afërsi të një optike. Ngjitur me këtë optikë, është edhe një servis celularësh. Gazetarët pyesin pronarin, i cili tha se qendron gjatë gjithë ditëve të javës nga ora 10.00 e paradites e deri në 20.00 të darkës. Ai pohoi disa herë se para optikës dhe dyqanit të tij nuk ka ndodhur asnjë aksident. “Këtu para dyqanit tim s’ka ndodhur asnjë gjë, asnjë aksident. Do ketë ndodhur te kryqëzimi” thotë ai.

Oficeri i Policisë Gjyqësore që është marrë me hetimin e kësja dosje është z.Kastriot Canaj. Gazetarët e Fiks Fare kontaktuan me z.Kastriot nëse ai, apo dikush tjetër nga Policia Rrugore, i ka sekuestruar apo jo kamerat në vendngjarje. Ai thotë se veprimet kanë qenë të sakta dhe janë referuar në prokurori. “Mesa mbaj mend, është vendosur mosfillimi” pohon ai. Gazetarët e pyesin përse nuk janë sekuestruar kamerat e sigurisë, ndërsa ai pohon se “janë marrë deklarimet e zonjës dhe të autorit. Unë jam OPGJ i të dy personave. Kaq informacion mund të jap na thotë”. OPGj nuk pranoi të jepte shpjegime nëse i ka marrë apo jo pamjet e kamerave të sigurisë.

Top Channel