Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratave të presidentit Ilir Meta, i cili foli me tone të ashpra gjatë ditës së sotme duke paralajmëruar se do të reagojë para zgjedhjeve të 25 prillit.

Me anë të një postimi në Twitter, Rama shkruan se çdo votë ndaj LSI është kundër drejtësisë dhe çdo votë për PD është për Metën e Berishën. Për Bashën thotë se “thjesht ha përshesh”.

“Sa herë Ilir Meta del, flet, bërtet, shan, lajthit, aq herë e bën të qartë se zgjedhja e 25 prillit është një zgjedhje mes Drejtësisë dhe Ilir Metës; çdo votë për LSI është një votë kundër Drejtësisë dhe çdo votë për PD është një votë për Ilirin e Saliun; Luli thjesht ha përshesh”, shkruan Rama.

Ditën e sotme, Meta doli në një konferencë për gazetarët ku tha se do të bëjë gjithçka për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.

“Ju mendoni që Presidenti duhet të reagojë pasi të bëhen zgjedhjet? Keni shumë gabim. Do të reagoj shumë përpara. E pësuam njëherë në 2017 duke pritur nga të tjerët që të na garantonin zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Do reagojmë më para se jemi në mes të Europës. Nëse dikush është shqetësuar se presidenti ishte i irrituar atje dhe njerëzit goditeshin në prezencë të presidentit, nuk do ti nxjerrim emrat se nuk duam të nxisim personat e irrituar, por nuk ka asgjë që e pengon presidentin”, tha Meta.

Nuk ka munguar komenti për krahasimin që bëri Rama ndaj kandidatëve për deputetë në listën e PS dhe të opozitës duke thënë se në vende të tjera do ishin ngritur në këmbë për bullizmin. Ndër të tjera theksoi se do të ketë veprime të paimagjinueshme për këdo që tenton të terrorizojë shqiptarët.

“Bullizëm i marrë, ku vende të tjera do ishin ngritur në këmbë me kohë. Mendon se mund të shtypë një popull të tërë dhe të parafiksojë zgjedhjet me bandat ndërkombëtare dhe lokale. Do të ketë veprime të paimagjinueshme për ata që duan të terrorizojnë shqiptarët. Sigurisht që shqetësohet Presidenti. Populli shqiptar të bëhet gati, presidenti nuk do të heshttë, mos prisni president të përsosur në këtë krizë që ka pllakosur vendin”, tha Meta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA