Rama: Do rrisim me 40% pagat e mësuesve dhe bluzave të bardha, 30% për punonjësit e administratës publike. Asnjë qindarkë për…

15/03/2021 10:32

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar planin e PS për taksat, pagat dhe biznesin gjatë viteve 2021-2025.

Rama thotë se gjatë mandatit të tretë do të rriten me 40% pagat e mësuesve dhe bluzave të bardha, ndërsa pagat e punonjësve të administratës publike do të rriten me 30%. Sa i përket qeveritarëve e parlamentarëve, thekson se nuk do të rriten me asnjë qindarkë deri në vitin 2025.

Rama: Kanë guximin të thonë Shqipëria fiton duke ulur nga 15% në 9% taksën e fitimeve të atyre të cilët kanë  7 vjet e kusur që mi kanë hedhur në kurriz si gjyle balte dhe duke i gjuajtur mbi topat e shpifjeve m bi flamurin e PS.

Si mund të tallen me të gjithë ju o njerëz të mirë që fitoni me punë të ndershme dhe atë pagë e të çoni në familje. Si mund të tallen me ata të verbuar e të shurdhuar politikisht që mendjen e kanë tapë nga tifozllëku partiak, që pa pikën e turpit ju fusin duart në xhep.

Tani na del që unë shërbëtori nuk kam për t’ jua ulur taksën dhe këta Robin Hood-ët do jua ulin 9%. Si furra e bukës, si ndërmarrjet e oligarkët, 9%. Si shitësi e kamarieri, si ai që numëron dhe nuk arrin të numërojë deri në fund veturat se lodhet, 9%. A e dini sa kanë paguar 100  bizneset më të mëdha të shtetit, 460% më shumë nga sa paguan kur në qeveri ishin këta që duan të rikthehen me taksën e tyre të sheshtë.

Nga vitit 2006 deri 2013, ata kontribuan për shtetin vetëm 86 milionë dollar. Ndërsa nga 2014 deri në 2019, paguan 481 milionë dollar. Tani vjen dhëndri i Saliut dhe Ilirit, me qesen e Monikës dhe taborin e uritur të krushqve dhe me rikthimin e taksës së sheshtë, premton dhe u fal 200 milionë dollar nga arka e shtetit.

Pastaj kismet si ndahet ky 200 milionë dollarëshe që në një mandat avullon për të pikuar mes tyre dhe pushtetit, në vend se të shkojë për investime publike e për rritje pagash në shërbim të popullit. Do e kuptoni apo jo, që janë vetëm për xhepin dhe rrethin e tyre dhe e kanë çuar për lesh dhie Shqipërinë. Kushdo që të përfundojë si pulat e Gon Dukës që rriten me dritë artificiale dhe përfundojnë mish tavolinë, le të rrinë pakicë.

Ne këto dy mandate ulëm taksat, ndërsa në mandatin e tretë pagat e mësuesve dhe të bluzave të bardha do të rriten edhe me 40%. 30% do të rriten dhe pagat e punonjësve të administratës publike, ndërsa pagat e qeveritarëve dhe parlamentarëve nuk do të rriten asnjë qindarkë deri në vitin 2025.

Taksa 0 për biznesin e vogël deri në vitin 2029.

Top Channel