Meta paralajmëron: Do reagoj para zgjedhjeve se jemi në mes të Europës! Do të ketë veprime të paimagjinueshme

15/03/2021 11:46

Presidenti Ilir Meta ka folur në një konferencë për gazetarët në lidhje me dhunën që ndodhi disa ditë më parë në zyrat e FRD-së, ku ishte i pranishëm edhe ai.

Meta ka theksuar se do të reagojë para zgjedhjeve në mënyrë të ashpër pasi ndodhet në mes të Europës në mënyrë që të garantohen zgjedhje të lira e të ndershme.

“Ju mendoni që Presidenti duhet të reagojë pasi të bëhen zgjedhjet? Keni shumë gabim. Do të reagoj shumë përpara. E pësuam njëherë në 2017 duke pritur nga të tjerët që të na garantonin zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Do reagojmë më para se jemi në mes të Europës. Nëse dikush është shqetësuar se presidenti ishte i irrituar atje dhe njerëzit goditeshin në prezencë të presidentit, nuk do ti nxjerrim emrat se nuk duam të nxisim personat e irrituar, por nuk ka asgjë që e pengon presidentin”, tha Meta.

Nuk ka munguar komenti për krahasimin që bëri Rama ndaj kandidatëve për deputetë në listën e PS dhe të opozitës duke thënë se në vende të tjera do ishin ngritur në këmbë për bullizmin. Ndër të tjera theksoi se do të ketë veprime të paimagjinueshme për këdo që tenton të terrorizojë shqiptarët.

“Bullizëm i marrë, ku vende të tjera do ishin ngritur në këmbë me kohë. Mendon se mund të shtypë një popull të tërë dhe të parafiksojë zgjedhjet me bandat ndërkombëtare dhe lokale. Do të ketë veprime të paimagjinueshme për ata që duan të terrorizojnë shqiptarët. Sigurisht që shqetësohet Presidenti. Populli shqiptar të bëhet gati, presidenti nuk do të heshttë, mos prisni president të përsosur në këtë krizë që ka pllakosur vendin”, tha Meta.

Top Channel