Ministrja Etilda Gjonaj ka firmosur bashkëpunimin me Universitetin e Salentos për ekspertizë italiane në fushën e të Drejtës Penale.
Kjo marrëveshje do të vendosë një bashkëpunim shkencor në fushën juridike me qëllim rritjen e njohurive të ndërsjellta mbi legjislacionet e vendeve përkatëse, ashtu sikurse dihet tashmë që legjislacioni shqiptar ndër vite është referuar kryesisht nga modelet më të mira, ato që i përkasin modelit italian, si në fushën penale dhe atë civile.
Njoftimi i plotë:
Tiranë 15.01.2021
MInistrja Gjonaj firmos bashkëpunimin me Universitetin e Salentos për ekspertizë italiane në fushën e të Drejtës Penale
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj firmosi sot marrëveshjen e bashkëpunimit midis Universitetit të Salentos dhe Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë me praninë e Ambasadorit të Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci. Rektori i Universitetit të Salentos Profesor Fabio Pollice dhe Profesor Rossano Adorno pavarësisht pandemisë që ka krijuar një sërë pengesash, nuk hezituan dhe vendosën të udhëtojnë për Tiranë në këto kohë të vështira, kur edhe Italia është shpallur kryesisht zonë e kuqe.
Nënshkrimi i këtij memorandumi bashkëpunimi është një hap tjetër i rëndësishëm në forcimin dhe konsolidimin e raporteve ndërmjet dy vendeve. Kjo marrëveshje do të vendosë një bashkëpunim shkencor në fushën juridike me qëllim rritjen e njohurive të ndërsjellta mbi legjislacionet e vëndeve përkatëse, ashtu sikurse dihet tashmë që legjislacioni Shqipëtar ndër vite është referuar kryesisht nga modelet më të mira, ato që i përkasin modelit Italian, si në fushën penale dhe atë civile.
Në këtë aspekt Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Kodifikimit kanë një interes specifik për të përdorur kontributin shkencor të pedagogëve të Universitetit të Salentos, me qëllim studimin dhe hartimin e projektligjeve në fushën penale, kryesisht por jo vetëm, të cilat janë pjesë e objektivave dhe pririoriteteve tona edhe në vijim.
Marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet dy vëndeve tona janë prej vitesh tashmë të konsoliduara dhe mbështeten në themele të forta historike, kulturore, dhe ekonomike. Italia për Shqipërinë mbetet një bashkëbisedues i privilegjuar duke mbështetur Shqipërinë në mënyrë konsistente gjatë gjithë periudhës së tranzicionit dhe në rrugëtimin tonë europian.
‘Eksperienca akademike e profesorëve të Universitetit të Salentos do të jetë një kontribut mjaft i vyer për Ministrinë e Drejtësisë, por padyshim edhe për të rritur cilësinë, për të mësuar nga eksperiencat më të mira që ka Italia, duke asistuar në të gjitha nismat tona ligjore, veçanërisht ato në fushën e të drejtës penale’, u shpreh Ministrja Gjonaj.
Një nismë ligjore e një rëndësie të veçantë që Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë ka të bëjë pikërisht me përgatitjen e draftit të Kodit të Ri Penal, i cili kryesisht ka qënë një model që është marrë nga shteti Italian, nga Kodi Penal Italian dhe duke parë që është në një proces pothuajse përfundimtar, ka shumë nevojë shkëmbimi i eksperiencës dhe adresimi i atyre çështjeve që sot mund të jenë edhe një sfidë përveçse brënda kufinjve por edhe jashtë kufinjve, duke përfshirë këtu edhe krimin transnacional.
Ministrja Gjonaj deklaroi se ‘Unë besoj që vlera e këtij bashkëpunimi formal edhe nëpërmjet marrëveshjes do të jetë shumë e madhe dhe shumë e rëndësishme për ta finalizuar këtë projekt, i cili po ndodh pothuajse pas 25 vjetësh ku të kemi për herë të parë një Kod të Ri Penal dhe jo një Kod të ndryshuar në mënyrë të vazhdueshme, por një kod që ti përgjigjet të gjitha direktivave të BE, praktikës së GJEDNJ, por edhe praktikave më të mira që si shtete si Italia i kanë hasur dhe ndërkohë kanë krijuar eksperiencën e tyre në këtë fushë’.
Menjëherë pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje fillon menjëherë edhe bashkëpunimi aktiv me Universitetin e Salentos dhe pedagogët e këtij Universiteti pasi të gjithë aktorët që do të shërbejnë në këtë pririoritet të Ministrisë së Drejtësisë do të japin kontribut për Kodin e Ri Penal.
Kjo padyshim nuk është e vetmja nismë ligjore e Ministrisë së Drejtësisë. Janë një sërë aktesh të tjera ligjore dhe nënligjore të cilat janë në proces, ku kontributi i profesorëve në Universitetin e Salentos do të ishte mjaft i rëndësishëm për të miratuar një produkt përfundimtar të një niveli shumë të lartë.
Ministrja e Drejtësisë Gjonaj falenderoi profesorët italianë për të gjithë angazhimin e tyre dhe të gjithë trupës akademike në Universitetin e Salentos, me qëllim replikimin e bashkëpunimit, që Ministria e Drejtësisë ka patur me organet e drejtësisë Italiane, por gjithashtu edhe me Ministrinë e Drejtësisë Italiane.
Ministrja Gjonaj u shpreh se – ‘Gjithashtu është për t’u nënvizuar fakti që ne tashmë kemi huazuar një sërë modelesh të rëndësishme që Italia ka kohë që i zbaton, siç është modeli i regjimit 41 bis, ku për herë të parë para 1 viti e gjysmë, ne e përfshimë në parashikimet tona ligjore, parashikimin e këtij regjimi të posaçëm me qëllim që t’i japim një shtysë më të fortë ndërprerjes së lidhjeve të krimit të organizuar që ndodhet në institucionet penitenciare me botën jashtë. Dhe kjo padyshim është një masë që është marrë për luftën kundër krimit të organizuar por jo vetëm, por do t’i shërbejë gjithashtu edhe luftës kundër terrorizmit që është një sfidë e të gjitha shteteve, por njëkohësisht edhe për luftën kundër krimit transnacional, ndërkufitar i cili gjithashtu është një sfidë që më së shumti është hasur dhe kemi patur bashkëpunimin ndërmjet dy vëndeve tona.’
Ministrja Etilda Gjonaj gjithashtu u shpreh se është krenare për bashkëpunimin edhe me Prokurorinë Antimafia, të cilën e veçoi për shkak të bashkëpunimit të jashtëzakonshëm dhe gjithë mbështetjen që i është dhënë Ministrisë së Drejtësisë. ‘Kemi krijuar edhe me prokuroritë e tjera një sërë grupesh hetimore të përbashkëta, ku kanë dhënë fryte të jashtëzakonshme të cilat padyshim kanë qënë në bashkëpunim midis të dy vëndeve, dhe kanë sjellë fryte për të dy vëndet në luftën kundër krimit të organizuar’, tha Ministrja Gjonaj.
Tashmë që Shqipëria ka në EUROJUST prokurorin e saj të parë Shqipëtar ndërlidhës, Ministrja Gjonaj u shpreh e bindur që bashkëpunimi me të gjithë strukturën e EUROJUST, por edhe me prokuroritë organet e akuzës në të gjitha vëndet Europiane do të jetë tashmë në një nivel shumë më të lartë, dhe bashkëpunimi absolutisht do të gëzojë më shumë fryte për të luftuar kundër krimit të organizuar.
Nga ana e tij Rektori i Universitetit të Salentos, Profesor Pollice u shpreh entuziast për firmosjen e këtij memorandum bashkëpunimi konkret midis trupës së profesorëve të ligjit të Universitetit të Salentos dhe Ministrisë së Drejtësisë Shqiptare.
Ambasadori i Italisë Fabrizio Bucci deklaroi se “Ky nënshkrim sot është pjesë e mbështetjes së ofruar, nga i gjithë Sistemi Italian që përfshin natyrisht edhe institucionet tona më të mira akademik, një partneri të padiskutueshëm e një vendi mik si Shqipëria. Karakteristikë e një Marrëveshjeje si ajo e nënshkruar sot është jo vetëm mundësia për t’i dhënë një ndihmë konkrete Shqipërisë në një sektor strategjik si ai juridik, por edhe, e mbi të gjitha, ajo e vendosjes së themeleve të reja e të forta për një shkëmbim reciprok afatgjatë” deklaroi Ambasadori Fabrizio Bucci.
“Mbështetja ndaj Institucioneve shqiptare në fushën e drejtësisë”, shtoi Ambasadori “vazhdon të jetë thelbësore, jo vetëm sepse ndihmon në konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri, por edhe sepse sjell një përmirësim konkret në fushën e administratës së drejtësisë nga varet edhe përmirësimi i ‘business climate’ shqiptar dhe, pra, aftësia për të tërhequr më shumë investime të huaja e, veçanërisht, investime italiane. Me përmbushjen e reformave në fushën e së drejtës penale dhe asaj të burgjeve, urimi është që të mund të luftojmë, me më shumë forcë e më shumë rezultate, krimin e organizuar dhe korrupsionin në këtë Vend”.
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj falenderoi delegacionin italian të përbërë nga Rektori Profesor Fabio Pollice, Prof. Rossano Adorno dhe nga Prokurori italian i Ndërlidhjes pranë Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë, Francesco Mandoi.
Ajo gjithashtu falenderoi Ambasadorin z. Bucci i cili në mënyrë të vazhdueshme dhe konstante e ka mbështetur Ministrinë e Drejtësisë.
Top Channel