Familjarët: Vrasja brutale e Amy nga partneri nuk ishte humbje kontrolli, por e lajmëruar (fotot)

15/03/2021 21:30

Amy-Leanne Stringfellow u vra nga partneri i saj gjatë karantinës në Britani, i cili justifikohej me humbjen e kontrollit prej Covid-19, por familjarët e saj kërkojnë të vërtetën nga vrasësi.

Çdokush që mund të shihte llogaritë sociale të Amy-Leanne Stringfellow, mund të mendonte se jeta e saj ishte e përkryer.

Bukuroshja 26-vjeçare punonte si stërvitëse personale, kishte shërbyer me ushtrinë britanike në Afganistan dhe ishte shpallur Miss Britania në një konkurs ‘bodybuilding’.

Ajo kishte një vajzë të vogël Aurora, dhe ishte e dashuruar me partnerin e saj të ri, të njohur që prej nëntorit 2019.

Facebook është i mbushur me gjestet romantike të partnerit të saj Terence Papworth, me qirinjtë, dhuratat dhe propozimin e natës së vitit të ri, kur i ofroi unazën me vlerë 8,000 paundë.

Por asgjë nuk ishte siç dukej. gjashtë muaj më vonë Papworth e vrau Amy, duke i prerë fytin me shpatë e duke goditur kokën e saj me një shishe të thyer vodka. Ai e kishte rrahur aq shumë sa që patologu zbuloi 58 plagë të vecanta, duke përfshirë dhe fraktura në vrimat e syve. Shenjat në trupin e saj dëshmonin për një përleshje fatale mes të dyve.

Çifti ishin ndarë me heret kur Papworth kishte rrahur Amy duke i nxirrë të dy sytë, pasi kishte kërcënuar atë dhe Aurora me një pushkë ‘shotgun’, disa muaj para se ta vriste. Nënë e bijë ishin marrë në mbrojtje nga struktura të ushtrisë britanike, ku gruaja kishte shërbyer, por kjo nuk mjaftoi.

Ironikisht kur kishte qenë 16 vjeçe, Amy i kishte dhënë ultimatum nënës së saj për t’u ndarë nga partneri i dhunshëm.

Tashmë besohet se ajo kishte shkuar në shtëpinë e Papworth për të riparuar marrëdhënien e tyre, natën kur u vra, më 5 qershor të vitit të shkuar.

Motra e madhe e viktimës, Gemma-Louise Hurst thotë se Amy kishte mbledhur disa rroba dhe i kishte gënjyer familjarëve duke u thënë se do të flinte me disa shoqe në Bridlington. “Ajo donte që ai ta dashuronte, prandaj shkoi te ai atë natë. Nuk kishte frikë nga ai, nuk kishte frikë nga askush”, thotë e motra.

Por pandemia dha justifikimin e përkryer për dhunues shtëpiakë si Papworth, i cili tentonte ta mbante gruan larg nga njerëzit që kishte më afër. Ai merrte telefonin e saj dhe me të u kthente përgjigje të prera miqve apo familjarëve që kontaktonin me të.

 

Pas vrasjes, Papworth u dorëzua në policinë e Doncaster përpara se të kuptohej se Amy ishte vrarë, madje i kishte thënë nënës së tij “pashë sesi jeta po shterronte prej saj”.

Të dhënat tregojnë se ajo ishte gruaja e 110 e vrarë nga burrat në Britani, që prej nisjes së izolimit të pandemisë atje në 23 mars 2020.

Por Papworth nuk do të dalë kurrë në gjyq për vrasjen e Amy pasi më 22 nëntor ai vari veten në burgun e Leeds në moshë 45 vjeçare, tetë ditë para nisjes së gjyqit të tij.

Pas vdekjes së Amy, një nga ish-të dashurat e Papworth tha se ai i kishte thyer gishtin për t’i hequr një unaze fejese rreth 20 vjet më parë. Një tjetër grua tha se ai kishte vrarë një qen me mbytje para saj, ndërsa një tjetër britanike ishte vendosur në Australi prej frikës së tij.

Motra e viktimës Gemma tha: “Këto gjëra nuk dalin nga hiçi. Vrasja e Amy nuk ishte një humbje kontrolli, ai e kishte brenda vetes, ai e vrau sepse ajo rezistonte. Kjo nuk i pëlqente dhe dëshironte t’i provonte se ai e kishte kontrollin”.

FOTO GALERI
1/6
Amy-Leanne Stringfellow u vra nga partneri i saj gjatë karantinës në Britani

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA