Eksperti i mjedisit zbulon cilat zona të Tiranës krahasohen me qytetet më të ndotura në botë

15/03/2021 10:02

Eksperti i mjedisit Rodion Gjoka ka prezantuar në “Wake Up” matjet që janë bërë për ajrin, zhurmat dhe hapësirat e gjelbra gjatë vitit 2018-2021.

Ndotja më e madhe e ajrit është në qytetin e Durrësit për shkak të investimeve që bëhen. Edhe për Tiranën,Gjoka thotë se është në nivele shqetësuese për shëndetin publik.

“Ne kemi matur rreth 970 stacione ajri, ku 5 prej të cilave kanë qenë stacione fikse që transmetonin të dhëna 24 orë të ditës dhe 7 ditë të javës dhe në total për të gjithë komponentët e matur të shkarkimeve në ajër janë kryer diku te 32-33 mijë matje në total. Sa i takon situatës, nuk është ndër më të favorshmet. Kemi një përkeqësim të parametrave të ndotjes së ajrit, sidomos në Bashkinë e Durrësit dhe kjo vjen për shkak të investimeve që janë kryer në këtë qytet.

Ndërkohë, Tirana mund të paraqitet disi më mirë për shkak të reduktimit të qarkullimit apo të reduktimit të aktiviteteve të tjera të ndryshme. Por kjo nuk do të thotë që ndotja është zhdukur, është aty dhe çfarë është më e keqja është që shumë afër standardeve dhe në shumë raste i kalon standardet. Ka komponentë që janë vërtetë shqetësues.

Në Tiranë dhe në Durrës ndotja vijon të qëndrojë në vlera goxha të larta dhe goxha shqetësuese për shëndetin publik. Me vlerat që kemi publikuar, Durrësi qëndron në shifra alarmante, për shkak të aktivitetit të portit, investimeve në infrastrukturë që kanë pasur goxha impakt”, tha ai.

Gjoka zbuloi edhe zonat në Tiranë që janë tepër të ndotura për shkak të lëvizjeve të shumta dhe cilësohen si shqetësuese pasi krahasohen me qytetet më të ndotura në botë.

“Por ka zona në Tiranë që mund të krahason me qytetet më të ndotura në botë. Këtu mund të përmendim aksin e ‘Teodor Keko’ nga Hoteleri-Turizmi deri tek dogana është aksi më shqetësues për momentin. Rruga ‘Dritan Hoxha’, kryqëzimi i ‘Rrugës së Elbasanit’, zona te Fakulteti Ekonomik, në Bllok, kryqëzimi i 21 Dhjetorit dhe komplet Unaza e Mesme e Tiranës”, sqaroi ai.

Top Channel