Publikisht, Bashkimi Evropian ka hedhur poshtë fushatën globale të Rusisë për furnizimin me vaksinat e koronavirusit. Por duket, se prapa skenave, blloku po konsideron Sputnik V, për të vaksinuar 450 milion banorët e unionit.

Një zyrtar i Bashkimit Europian, i cili negocion me prodhuesit e vaksinave në emër të bllokut i tha Reuters se qeveritë e BE-së po shqyrtojnë fillimin e bisedimeve me kompaninë që prodhon  Sputnik V dhe duhen të paktën kërkesat e katër shteteve të BE-së për të filluar procesin.

Hungaria dhe Sllovakia kanë blerë tashmë vaksinën ruse, Republika Çeke është e interesuar dhe zyrtari i unionit tha se Italia po konsideron të përdorte bioreaktorin më të madh të vendit për prodhimin e vaksinave në fabrikën ReiThera pranë Romës për të prodhuar Sputnik V.

Brukseli është kritikuar për shpërndarjen e ngadaltë të vaksinave në bllok, në një kohë kur ish-anëtarja, Britania e Madhe, po lehtëson kufizimet dhe po ecën me ritme të shpejta.

BE ka nënshkruar marrëveshje me gjashtë prodhues të vaksinave perëndimore dhe ka filluar bisedime me dy të tjerë. Ajo ka miratuar katër vaksina deri më tani por problemet e prodhimit kanë ngadalësuar fushatën dhe disa shtete anëtare po kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë.

Nëse Sputnik V do të bashkohej me arsenalin e vaksinave të BE-së, do të ishte një triumf diplomatik për Rusinë, tregtia e së cilës me bllokun është penguar prej vitesh nga sanksionet mbi aneksimin e saj të Krimesë dhe ndërhyrjen e saj në Ukrainën lindore.

Një zyrtar i dytë i BE tha se fabrika “ReiThera” u përmend nga zyrtarët italianë në një takim si një vend i mundshëm për prodhimin e vaksinave Covid 19 të bëra nga kompani të tjera nga firma italiane e bioteknologjisë. “ReiThera”, e cila është 30% e zotëruar nga shteti, nuk pranoi të komentonte, shkruan Reuters.

Një zëdhënëse e ministrisë së industrisë së Italisë nuk pranoi të komentonte mbi bisedimet në lidhje me përdorimin e mundshëm të uzinës “ReiThera” për të bërë Sputnik V. Ajo tha: “Ne do të prodhojmë të gjitha vaksinat e autorizuara kudo që të jetë e mundur”.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian, i cili koordinon bisedimet me prodhuesit e vaksinave, tha se nuk  është e nevojshme të nisë bisedimet për  Sputnik V, edhe nëse rregullatori i barnave të bllokut miraton vaksinën.

Për muaj me radhë, BE shprehu dyshime rreth Sputnik V duke cituar një mungesë të dhënash dhe duke e quajtur vaksinën një mjet propagandistik të politikës së jashtme të Kremlinit.

Më 17 shkurt, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen vuri në dyshim arsyet e Rusisë për eksportimin e miliona dozave.

Edhe javën e kaluar, Charles Michel, i cili kryeson samitet e liderëve të BE-së, përsëri hedh dyshime mbi motivet e Rusisë për promovimin e Sputnik V. “Ne nuk duhet të lejojmë që të mashtrohemi nga Kina dhe Rusia, të dy regjime me vlera më pak të dëshirueshme se e jona, pasi ato organizojnë operacione shumë të kufizuara por të reklamuara gjerësisht për të furnizuar të tjerët me vaksina“, tha ai. “Evropa nuk do të përdorë vaksinat për qëllime propagandistike“.

Ndërsa vetë Rusia më parë ka akuzuar BE-në për politizimin e çështjes së vaksinave Covid 19.

Top Channel