“Drejtësia u sprovua dhe dështoi”/ Gërdeci, familjarët e viktimave: Drejtësia nuk kapi as baxhanakët e djeshëm dhe as kunetërit e sotëm

15/03/2021 18:15

Sot bëhen plot 13 vite nga tragjedia e shpërthimit në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë.

Sot pas 13 vitesh familjarët janë në kërkim të drejtësisë.

Kështu përmes një deklarate, Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Gërdecit, rendisin dështimin e politikës dhe organeve gjyqësore për të bërë drejtësi, si dhe sipas tyre, pengimin që qeveria i bën në çështjet e hapura në gjykatat ndërkombëtare.

Deklaratë për shtyp e Shoqatës se Familjarëve të Viktimave të Gërdecit

15.03.2021

Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit gjen rastin sot, në vitin e 13-të përkujtimor të tragjedisë së Gërdecit, të falenderojë dashamirësit që nga afër ose nga larg na japin kurajo për të vazhduar jetën dhe për tëçuar luftën tonë për të drejtën deri në fund. Tashmë 15 marsi është bërë një ditë simbol për të vlerësuar drejtësinë, politikën dhe njerëzillëkun.

Drejtësia u sprovua dhe dështoi. Pavarësisht se disa persona u dënuan, ata tashmë i lanë duart nga drejtësia dhe shumë të tjerë nuk u hetuan. Dëgjuam lloj-lloj emrash kafshësh që u përfolën, që lanë gjurmë mbi letra e fakse, por nuk pati askush kurajon të hetonte e ta zbardhte ngjarjen. Drejtësia e la të pagjykuar edhe ish ministrin që sot kandidon për deputet. Pra, drejtësia nuk kapi as baxhanakët e djeshëm dhe as kunetërit e sotëm. Madje drejtësia ngatërroi edhe emrin e personit që i vuri zjarrin barutit. Drejtësia i la të lirë t’i ktheheshin biznesit apo politikës, që të ndërtojnë pallate për të qerasur politikën dhe kjo e fundit të qeverisë rehat pallatet. Jetët e humbura në 15 mars 2008 nuk kthehen më, por drejtësia mund të vendosej, me hir ose pahir. Me reforme drejtësie apo jo. E megjithatë, “ortakëria politike” nuk deshi të bëhej drejtësi.

Dhe këtu vijme të e dyta. Politika. Ajo u vu në sprovë dhe dështoi. Nuk u nxor asnjë leksion nga kjo tragjedi. Ligjet nuk u rishikuan për të mos lënë më të ndodhin ngjarje të tilla. Ligjet nuk u rishikuan për të bërë të mundur që hetimet të bëhen ashtu sic duhet. Madje, edhe reforëma në drejtësi i vuri “tapën”çështjeve të vjetra, të kohës para reformës, që të mbyllte hesapet e vjetra me qëllim që t’i hapte rrugë pazareve të reja.
Njerëzillëku u vu gjithashtu në sprovë, por për fat të keq dështoi edhe ky. Dikur politika të të të gjitha gjatësive e gjinive, zinin radhën për të bërë paradën e mbështetësve tanë, ndërsa sot kanë harruar cfarë ndodhi në Gërdec. Por, pa harruar që ata që gatuan vdekjen në Gërdec, me mbështetjen e politikës së vjetër, sot gatuajnë beton në Tiranë të bekuar nga politika e sotme e re.

Sot, ne denoncojmë shëmtinë e politikes , që bëjnë sikur ishin dhe janë me ne kur në të vërtetë kanë bërë të gjitha përpjekjet për të na penguar në gjykatat vendase apo edhe në Strasburg, që ne të humbim të fundit amanet të atyre që nuk jetojnë madhe të fitojnë ata që sot riciklohen në politikësi gjoja “kundërshtarët” e tyre.

Sot, ne familjarët e viktimave të shpërthimit të Gërdecit, i themi vrasësve që pavarësisht se mund të mendojnë që i kanë mbyllur hesapet me drejtësinë apo me ndonjë ambasadatë, ata nuk i kanë mbyllur hesapet me ne dhe me popullin e thjeshtë të këtij vendi. Njohja e krimit dhe vënia e drejtësisë në vend i bën nder atyre që e bëjnëkëtë dhe na vë në paqe ne viktimave të krimit. Njohja e krimit është hapi i parë i njerëzillëkut, ndëshkimi i tiji shërben drejtësisë dhe nxjerrja e leksioneve i shërben të ardhmes sonë të përbashkët. Deri atëherë, me mend në kokë o popull i thjeshtë i këtij vendi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA