Lidhja Demokratike e Kosovës të dielën pritet të zgjedhë kryetarin e ri, pas dorëheqjes së Isa Mustafës nga udhëheqja e partisë.

Në garë për kreun e LDK-së, kandidaturën e kanë shpallur katër kandidatë: dy nënkryetarët Lutfi Haziri dhe Anton Quni si dhe anëtarët e kryesisë, Lumir Abdixhiku dhe Besian Mustafa.

Por, sipas statusit të kësaj partie, që është themeluar më 1989, secili nga këta kandidatë, që zyrtarisht të hyjë në garë, i duhet që fillimisht të marrë aprovimin e 178 anëtarëve apo 50 për qind plus një të delegatëve të partisë.

Kjo parti ka 355 delegatë dhe ky kuvend, zyrtarët e LDK-së kanë thënë se do të mbahen duke respektuar masat kundër pandemisë së koronavirusit.

Mbajtja e këtij kuvendi të LDK-së, vjen pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, ku LDK-ja regjistroi rezultat të dobët, duke fituar 12.73 për qind të votave, gjë që çoi në njoftimin e Mustafës për tërheqjen nga udhëheqja e partisë.

“Vota e qytetarëve është ajo që respektohet dhe në shenjë të respektimit të kësaj vote dhe të hapjes së rrugëve të mëtejshme për riorganizim të LDK-së, unë sot e kam njoftuar kryesinë se do ta thërras kuvendin e LDK-së për zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së, në një periudhë shumë të shpejtë kohore”, deklaroi Mustafa më 15 mars, kur njoftoi se po tërhiqet nga kreu i LDK-së.

Premtimet e kandidatëve

Anëtari i kryesisë së LDK-së, njëherësh ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, ishte zyrtari i parë i kësaj partie, që publikisht bëri të ditur ambicien e tij për ta marrë timonin e partisë.

“Janë shumë arsye e faktorë pse kam vendosur t’i futem kësaj gare. Në zgjedhjet e fundit është shprehur mosbesim ndaj LDK-së. Ata që kanë dalë në Lëvizjen Vetëvendosje, brenda një kohe të shkurtër do t’i riktheja në shtëpinë e tyre”, ka deklaruar Quni, duke iu referuar largimit nga partia të Vjosa Osmanit.

Udhëkryqi i LDK-së

Osmani, e cila kishte postin e nënkryetares së LDK-së, në qershor të vitit 2020, u shkarkua nga të gjitha postet partiake, pasi kishte shprehur kundërshtitë e saj për prishjen e koalicionit qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje si dhe ishte shprehur kundër ekzekutivit që pasoi, të udhëhequr nga Avdullah Hoti i LDK-së.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Osmani, që ka formuar një iniciativë të re politike, garoi në kuadër të listës së LVV-së dhe doli kandidatja më e votuar, duke fituar mbi 300 mijë vota.

Për rikthimin e Osmanit, ka premtuar se do të punojë edhe Lutfi Haziri, nëse merr besimin për ta udhëhequr LDK-në. Ai ka theksuar se është e domosdoshme, që kjo parti të hapet.

“Do të angazhohem për një vlerësim të drejtë, reformë të bazuar në meritë, konkurrencë, vlerësim të rezultatit dhe hapje të domosdoshme për brezin evropian të LDK-së në vendimmarrje”, ka deklaruar Haziri, më 10 mars në Gjilan, komunë të cilën ai e udhëheq.

Lumir Abdixhiku, që në LDK u bashkua më 2017, gjatë shpalljes së kandidaturës për kryetar, ka vlerësuar se rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit ishte “ndëshkim nga njerëzit tanë nga qytetarët e vendit tonë, nga të njëjtit që dikur na kishin dhënë besim.

“E rëndë është rënia, por më i pafalshëm do të mbetej mosreflektimi i thellë i yni në rrugëtimin tonë përpara. Ky rrugëtim kërkon ndryshim”, ka thënë Abdixhiku.

Ndërkaq, Besian Mustafa, i cili njëherësh është ministër në detyrë i Bujqësisë, ka premtuar se do të krijojë unitet brenda partisë.

“Do të sigurohem që LDK-ja do të ketë debat, diskutim dhe bashkëbisedim të hapur e të gjatë me secilin dashamir, votues e ish-votues dhe anëtarë e ish-anëtarë, ku së bashku do të ndërtojmë unitetin dhe komunikimin tonë të vazhdueshëm”, ka thënë Mustafa.

Kjo është hera e parë që një kryetar i LDK-së jep dorëheqje. Kjo parti është themeluar më 1989 dhe që atëherë ka pasur tre kryetarë: Ibrahim Rugovën, Fatmir Sejdiun dhe Isa Mustafën./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA