Policia ruse arrestoi të shtunën mbi 180 pjesëmarrës të një forumi anëtarësh të pavarur të këshillave bashkiakë, një veprim që vjen mes goditjeve të shumëanshme të autoriteteve ndaj kundërshtarëve.
Policia u shfaq në takimin e tyre në Moskë menjëherë pasi filloi, duke thënë se të gjithë të pranishmit do të arrestoheshin për pjesëmarrje në një aktivitet të një organizate të “padëshirueshme”. Një punonjës policie që drejtonte bastisjen tha se të arrestuarit do të dërgohen në stacionet e policisë dhe do të akuzohen për shkelje administrative.
OVD-Info, një grup i pavarur që monitoron arrestimet dhe shtypjen politike, tha se më shumë se 150 pjesëmarrës në forum u arrestuan. Midis tyre ishin Ilya Yashin, një politikan i opozitës që drejton një nga qarqet komunale të Moskës; ish-kryetari i Bashkisë së Yekaterinburgut Yevgeny Roizman; dhe anëtarja e këshillit bashkiak të Moskës, Julia Galyamina. “Qëllimi i tyre ishte të shkurajonin njerëzit nga përfshirja në politikë,” tha përmes një video nga furgoni i policisë Andrei Pivovarov, një politikan që ndihmoi në organizimin e forumit.
Zoti Pivovarov ka luajtur një rol kryesor në “Rusinë e Hapur”, një grup i financuar nga manjati rus i në mërgim Mikhail Khodorkovsky. Zoti Khodorkovsky u transferua në Londër pasi bëri 10 vjet burg në Rusi nën akuza që shihen gjerësisht si hakmarrje politike si rezultat i sfidës së tij ndaj regjimit të Presidentit Vladimir Putin. Një ligj i vitit 2015 parashikon dënim penal për anëtarësimin në organizata “të padëshirueshme”. Qeveria ka përdorur ligjin për të ndaluar rreth 30 grupe, përfshirë “Rusinë e Hapur”. Një ligj i mëparshëm i detyroi organizatat joqeveritare që marrin fonde të huaja dhe përfshihen në veprimtari, të përshkruara lirshëm si politike, që të regjistrohen si “agjentë të huaj”.
Ligjet janë kritikuar gjerësisht si pjesë e përpjekjeve të Kremlinit për të shtypur kundërshtarët, por autoritetet ruse i kanë përshkruar ato si një përgjigje e përshtatshme ndaj përpjekjeve të pretenduara perëndimore për të sabotuar vendin. Goditja e policisë të shtunën ndaj forumit vjen pas arrestimit dhe burgosjes së udhëheqësit të opozitës ruse, Alexei Navalny. Armiku politik më i vendosur i presidentit rus Vladimir Putin u arrestua më 17 janar kur u kthye nga Gjermania, ku kaloi pesë muaj trajtim mjekësor nga një helmim me agjent nervor, për të cilin ai fajëson Kremlinin. Autoritetet ruse e kanë hedhur poshtë akuzën.
Muajin e kaluar, zoti Navalny u dënua me 2 vite e gjysëm burg për shkelje të dënimit me kusht, akuza që ai i hodhi poshtë si një hakmarrje të Kremlinit. Arrestimi dhe burgosja e tij shkaktuan një valë protestash në të gjithë Rusinë, të cilave autoritetet iu përgjigjën me një goditje masive. Qeveria ka intensifikuar shtypjen e saj ndaj opozitës përpara zgjedhjeve parlamentare të parashikuara për në shtator ndërsa popullariteti i partisë kryesore të mbështetur nga Kremlini, Rusia e Bashkuar, ka rënë./VOA
Top Channel