Abdixhiku flet si kryetar: Rikthimi i LDK-së është çështje kohe

14/03/2021 15:52

Kryetari i sapo zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku është zotuar se do ta rikthejë LDK-në si forcë kryesore politike në vend. Duke premtuar reforma, Abdixhiku tha se sot është hapur një faqe e re e rrugëtimit politikë të LDK-së.

Abdixhiku para delegatëve që e zgjodhën, kërkoi unitet dhe bashkim në LDK, pasi e njëjta nuk ka njerëz për të humbur.

“Sot po e hapim një faqe të re të rrugëtimit tonë politikë me synime dhe qëllime të qarta për ta kthyer LDK-në në vendin e saj origjinal. Përgjatë viteve të shkuara LDK arriti të kultivojë dhe mbrojë vlerat e saja tradicionale. Sikur më pozitë, ashtu dhe në opozitë, sikur në nivel qendror, ashtu edhe lokal ne u treguam kujdestare e këtyre vlerave, promotore të secilit hap integrues euro-antlantik dhe zë i qartë i orientimeve të qendrës së djathtë…rruga përpara kërkon mobilizimin e mendjeve më të mira që i kemi. Rruga përpara kërkon rikthimin e mbështetësve të LDK-së që me kohë kanë ndarë rrugët me ne, rruga përpara afrimin me njerëz tanë, rruga përpara kërkon hapjen e dyerve ndaj mendjeve më të mira që i ka Republika e Kosovës që LDK e shohin si ide dhe bindje të tyre. Rruga përpara mbi të gjitha kërkon reformë dhe reformë do të kemi ne”, tha ai.

Në fjalimin e parë si kryetar, Abdixhiku kritikoi edhe Lëvizjen Vetëvendosje, duke quajtur politika të majta që synojnë zhbërjen e Kosovës.

“Numrat mbesin të përkohshëm. Përpjekja jonë mbetet e përhershme. Prandaj rikthimi ynë është çështje kohe. Sot megjithatë ne duhet të veprojmë të bashkohemi rreth njëri tjetrit, të hapemi për të tjerët. LDK nuk ka njerëz për të humbur, por as për të ecur para. LDK-së duhet t’i japim një ekip, lidership që përballon sfidat e kohës. Këtë e ndjej obligim dhe nder t’i prijë këtij procesi përpara.  Ky rrugëtim nuk do të jetë i lehtë e gjen LDK-në në udhëkryq të kohës, por edhe vendim drejtë frymave populliste, politikave të majta dhe ideve shpërbërës të shtetit të Kosovës”, u shpreh ai.

Krahas kësaj, Abdixhiku tha se të vërtetën për humbjes së LDK-së duhet ta gjejnë tek vetvetja.

“LDK nuk arriti të mbajë dhe rrisë mjaftueshëm votuesit e saj. Ndonëse arsyet për një rënie të tillë mund t’i rendisim dhe përmendim rend. Arsyen dhe të vërtetën e gjejmë tek vetvetja dhe nga vetvetja duhet të nisim rikthimin tonë të madh”, tha ai.

Përndryshe, Abdixhiku ka marrë 190 vota. Ndërkohë, menjëherë ka ftuar mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

Top Channel