Kapen vrasësit e Behar Sofisë / Atentatori u kap në Malin e Zi, bashkëpunëtorët në Tiranë

13/03/2021 11:51

Policia ka zbardhur vrasjen e Behar Sofisë të ndodhur më 25 shkurt dhe ka lajmëruar arrestimin e katër personave që organizuan dhe realizuan vrasjen e 66 vjeçarit.

Policia kishte nisur operacionin e koduar me emrin Piramida dhe një ditë më parë u arrit të ndalohet në Malin e Zi atentatori 24 vjecar, banues në Tiranë dhe i quajtur Ernejt Shyti. Të dhënat e para tregojnë se ai është porositur për të bërë vrasjen në shkëmbim të një shume parash.

Të arrestuarit e tjerë janë, Skënder Vathi, 54 vjeç, lindur në Arrameras, Fushë Krujë dhe banues në Tiranë. Leonard Xhixha, 30 vjeç, lindur dhe banues në Arrameras, Fushë – Krujë, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja me paramendim” ngelur në tentativë. Në vitin 2014 ai ësht arrestuar sepse dyshohej se po organizonte një vrasje me pagesë në Gjoricë të Bulqizës.

Dhe bashkëpunëtori i tretë është Xhuljano Visha, 28 vjeç, i dënuar më parë për “Vjedhja”. Në bashkëpunim me njëri – tjetrin, ata kanë organizuar vrasjen e Behar Sofia duke siguruar mjetet, armën, si dhe kanë mbajtur nën mbikëqyrje lëvizjet e viktimës për disa kohë, deri në momentin e ekzekutimit. Ende nuk është zbardhur se kush është porositësi i kësaj vrasje me pagesë. Viktima e tyre Behar Sofia, rezulton të jetë një përkrahës i njërës prej partive politike dhe me njohje të shumta në policinë e shtetit, duke qenë edhe një biznesmen në Tiranë.

Viktima kishte disa biznese në zonën pranë stadiumit Dinamo, por shpesh ka pasur konflikte dhe në biznese i kanë vendosur edhe eksploziv. Sofia, në vitin 1998 u arrestua në Turqi së bashku me trafikantin Abdulselam Turgut, pasi u kapën me rreth 30 kg heroinë. Mes te arrestuarve ishte edhe Hekuran Hoxha, i cili u arrestua përsëri në 2019, për llogari të operacionit Volvo 4 dhe i dyshuar se është kreu i grupit të laboratorit të kokainës në Has.

Turgut, tashmë është shpallur në kërkim, pasi donte të kryente një atentat terrorist në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në vendin tonë.

Top Channel