Tritoli në makinën e prokurorit Arjan Muçaj, reagon KLGJ: Kërcënim serioz ndaj sistemit të drejtësisë

12/03/2021 19:29

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar në lidhje me shpërthimin e fuqishëm që ndodhi mbrëmjen e kaluar në Tiranë, ku iu vu tritol makinës së prokurorit Arjan Muçaj.

KLGJ e cilëson si akt kriminal, i cili përbën kërcënim serioz për të gjithë sistemin e drejtësisë. Ndër  të tjera, shpreh gatishmërinë të bashkëpunojë për zbulimin e autorëve dhe ndëshkimin e tyre me qëllim parandalimin e ngjarjeve të tjera kaq të rënda.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor shpreh shqetësimin e thellë në lidhje me aktin kriminal të datës 11.3.2021 ndaj anëtarëve të familjes së gjyqtares Gentiana Muçaj dhe dënon me forcë çdo akt që cenon sigurinë e gjyqtarëve.

Akte të tilla të përbëjnë kërcënim serioz jo vetëm për gjyqtarët, por ndaj të gjithë sistemit të drejtësisë e idealeve themelore të një shoqërie të hapur dhe shtetit të së drejtës.

Këshilli i Lartë Gjyqësor i shpreh mbështetjen e palëkundur familjes Muçaj dhe të gjithë anëtarëve të personelit të sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë që të jetojnë e të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve nga armiqtë e drejtësisë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor është i gatshëm të bashkëpunojë ngushtë me agjencitë ligjzbatuese për zbulimin e autorëve të akteve të tilla kriminale, me qëllim ndëshkimin e tyre dhe parandalimin e ngjarjeve të tilla të rënda”, thuhet në reagimin e KLGJ.

Top Channel